Ka zgjatur shumë pak liria me kusht për sipërmarrësin maltez Jorgen Fenek, të arrestuar të mërkurën për vrasjen e gazetares Dafne Karuana Galicia.
E përditshmja “Times of Malta” shkruan se ai është vënë sërish në pranga.
Fenek është parë mëngjesin e kësaj të shtune së bashku me agjentë të policisë teksa kontrollohej jahti I tij dhe deri mëngjesin e së dielës autoritetet duhet të vendosin nëse ai do të akuzohet apo do të lihet sërish i lirë.
Vetë kryeministri maltez Xhozef Muskat, shpjegoi për mediat që sipas ligjeve të vendit një I dyshuar mund të mbahet maksimumi për 48 orë pa u akuzuar.
Arrestimi i biznesmenit erdhi një ditë pasi qeveria malteze tha se do t’i ofronte falje një ndërmjetësi të dyshuar në vrasjen e vitit 2017 të Caruana Galizia, nëse ai tregonte se kush qëndronte pas vrasjes së gazetares së njohur investigative.
Gazetarja e cila u vra në një atentat me bombë në 16 tetor 2017, kishte përmendur emrin e biznesmenit në investigimet e saj që kishin të bënin me çështjet më të rënda të shkeljeve dhe korrupsionit në vend.
Hetuesit maltezë dyshojnë se autorët e atentatit mund ta kenë blerë bombën grupeve kriminale shqiptare.