Gazetarja e njohur Rudina Xhunga ka rrëfyer në tryezën”‘Bashkë kundër Dhunës” një përvojë personale se si ishte kërcënuar me mesazhe nga një person. Ajo tha se kishte duruar duke mos e bërë rasti publik për shkak të imazhit.
Ajo u shpreh se në momentin e denoncimit kishte marrë si përgjigje se mesazhet e tij nuk ishin kërcënuese pasi ai e donte.
Sakaq, Xhunga bëri thirrje se duhet ngritur zëri pa pasur turp se do të dëgjojnë pasi kjo gjë i ndodh shumë nënave dhe grave.
“Sot ishte një ditë e keqe për mua për të ardhur, pasi isha me temperaturë, me grip. Por nuk mund t’i thosha ’JO’ një ditë si kjo. Gra të dhunuara, nuk janë vetëm ato që rrihen nga burri. S’ka lidhje me shkollën dhuna. Jam këtu dhe do të jem me gratë që dhunohen. Uroj që të shtohen gratë prokurore pasi janë më të ndjeshme, apo gratë gazetare. Sado që të mblidhen gratë në shesh, ne kemi nevojë për prokurorinë për të luftuar dhunën ndaj tyre. Kemi nevojë për prokurorinë. Këtu (Në prokurori) duhej të flitej për nevojën që kemi ndaj ligjit.
Kam një eksperiencë personale me prokurorinë e Tiranës në 2003-2004. Më kërcënonte një njeri i çmendur, më çonte mesazhe pa fund. Mesazhe të pështira. E durova, pasi mendova se “je person publik dhe se duhet të paguash një ‘çmim’”.
E lejova të vazhdonte të shkruante, deri sa e padita deri sa u frikësova, pasi më kërcënoi. Por më erdhi përgjigja; se ai nuk kishte shkaktuar asnjë vepër penale, pasi më donte. Epo kjo është dhunë ndaj gruas, ndaj njeriut. Një i çmendur më donte. Një i ri që nuk donte veten e vet, më donte mua. Dhe unë duhet ta lejoja?! Ligjet ndryshuan.
Tani nuk është kaq e lehtë të duash në këtë mënyrë. Kjo është përndjekje. Tani e sqaruan se kjo është përndjekje dhe jo dashuri. Atëherë mungonte ligji. Kështu bëhen ligjet pa kapak. Duhet të ngrihet zëri duke mos pasur turp që të dëgjojnë. I ndodh shumë grave, i ka ndodhur nënave tona. Na ndodh neve, mund t’u ndodh edhe fëmijëve tanë po nuk folëm. Duhet t’i kthejmë fjalët në ligje, të bëhesh bashkë. Duhet të bëhen gratë bashkë, ndjesë burrat. Por besoj fuqimisht që së pari gratë janë të pa korruptueshme. Uroj që të shtohen gratë prokurore, të më falin burrat, pasi ka dhe nga ata që nuk do t’i kapë vettingu. Por vettingu na bën mirë të gjithëve. Kemi nevojë për një shoqëri të pastër, pa dhunë. Nuk e di nëse jam në vendin e duhur, për të kujtuar për amnistinë grave të dhunuara. I kam takuar ato në fund të vitit ë kaluar. Uroj për to të bëhet diçka, pasi nuk janë në të njëjtat pozita si burrat që vrasin. Të paktën tani. Më vonë se di si do të ndryshojë shoqëria jonë”, u shpreh Rudina Xhunga.