Investimet e realizuara në sektorin energjetik po japin rezultatet e parashikuara. Vlerësimi është bërë nga Banka Botërore, në “Raportin e Statusit të Zbatimit dhe Rezultateve”, publikuar në 14 nëntor 2019, ku vlerëson ecurinë e projektit për rimëkëmbjen e sektorit energjetik në Shqipëri. Në raportin në fjalë, sa i takon Projektit të Rimëkëmbjes së Energjisë (PRP), Banka Botërore ka ndryshuar vlerësimin për Shqipërinë si në nivelin e arritjes së objektivave ashtu edhe në zbatimin e përgjithshëm të projektit.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ju referua këtij raporti të parë pozitiv pas atij të vitit 2018, gjatë një inspektimi të kryer në kantierin e nënstacionit të Kombinatit. E shoqëruar nga Administratori i OSHEE, Adrian Çela, ministrja është njohur nga afër me ecurinë e punimeve në këtë vepër të rëndësishme për furnizimin me energji elektrike të qytetarëve, ndërsa ka theksuar se vlerësimi pozitiv i Bankës Botërore është tregues i punës edhe angazhimit të të gjithë strukturave në vend për të transformuar rrënjësisht sektorin elektroenergjitik.
“Në raportin e fundit, të dalë në 14 nëntor, pas shumë kohësh Banka Botërore ka bërë një raport pozitiv për të gjithë treguesit e Shqipërisë në fushën e energjetikës, për përmirësimin e saj dhe për impenjimin e të gjithë aktorëve, përsa i përket investimeve të reja, ndryshimit të kuadrit ligjor, apo dhe të gjitha angazhimeve që qeveria ka marrë. Ky është një fakt shumë i rëndësishëm, pasi Banka Botërore është një nga partnerët tanë në mbështetjen e rikuperimit të të gjithë problematikës, që ne kemi pasur në rrjetin elektrik, qoftë në atë të tensionit të mesëm dhe tensionit të ulët”, u shpreh ministrja Balluku.
Ministrja tha se treguesit flasin për një reduktim të nivelit të humbjes dhe përmirësim në cilësinë e furnizimit të abonentëve, teksa shtoi se investimet në energjetikë do të jenë në vëmendje edhe për vitin që vjen.
“Puna vazhdon, shërbimi do përmirësohet, të gjitha parametrat që ne kemi premtuar se do të arrijmë përsa i përket uljes së humbjeve në rrjet, ashtu dhe përmirësimit të cilësisë dhe të ofrimit të shërbimit 24 orë për të gjithë abonentët, janë shumë pranë. Praktikisht, tashmë kemi kaluar më shumë se gjysmën e rrugës dhe çdo ditë numrat tregojnë që shërbimi përmirësohet, humbjet ulen dhe jemi në kohë dhe në afate me çfarë kemi premtuar”, nënvizoi ministrja Balluku.
Nga ana e tij, administratori Çela bëri të ditur detaje të investimit që po bëhet në nënstacionin e Kombinatit, i cili pritet të jetë plotësisht në funksion në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Kjo zonë, diku në periudhën maj-qershor do të jetë totalisht në shfrytëzim si nënstacioni i ri dhe 10 fiderat dhe ajo që është e rëndësishme, me nënstacionin është menduar dhe perspektiva. Do të montohen 22 çela, duke bërë që të gjitha zhvillimet e mëvonshme që do të ketë kjo zonë ne i paraprimë me këtë investim. Përfundimisht kjo zonë nuk do ketë më problematika për furnizimin me energji elektrike. Nga ana tjetër, ne na ndihmon edhe me uljen e nivelit të humbjeve dhe në përmirësimin e cilësisë së furnizimit”, nënvizoi Çela.
Investimi në nënstacionin e Kombinatit parashikon zëvendësimin e të gjithë fiderave, ndërtimin e afro 100 kabinave të reja elektrike, si dhe shtrirjen e afro 100 kilometra kabull ABC dhe tension i mesëm.