Kryesore Kryemadhi: KÇK, strukturë paralele ndaj SPAK dhe BKH për të prishur hetimet

Kryemadhi: KÇK, strukturë paralele ndaj SPAK dhe BKH për të prishur hetimet

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, deklaroi se Edi Rama, “shkatërruesi kryesor i Reformës në Drejtësi, vazhdon që të sabotojë çdo ditë dhe më shumë reformën dhe të shkelë Kushtetutën”.

“Krijimi i policisë politike, asaj që na lançojë kryeministri në ikje, kryeministri ynë i lodhur dhe ai që mund të themi i kapur nga krimi i organizuar, vazhdon dhe provokon. Sot që ngrihet SPAK dhe Byroja e Hetimit, që për më shumë se 2 vitesh është mbajtur peng nga Edi Rama dhe grupi i tij, sot ai na lançon KÇK e famshme, policinë politike të tij. Deri më sot kemi pasur një polici që ka qenë avokate e ethshme, avokate me një dashuri të jashtëzakonshme për krimin e organizuar, për bandat kriminale, për grabitësit e pronës publike, për koncesionarët, për oligarkët, por kemi pasur një polici persekutore të qytetarëve dhe tradhtare të aksioneve të partnerëve tanë ndërkombëtarë përsa i përket trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Kemi parë sesi tradhtoheshin, sesi spiunoheshin aksionet e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kemi parë sesi rrihen dhe sakatohen investitorët e huaj dhe më pas rrahësit e dhunuesit hanë dhe pinë me drejtues të qeverisë shqiptare. Kemi parë sesi nxirren në 5 të mëngjesit fëmijët nga shtëpitë e tyre me gaz lotsjellës, në mënyrë të tillë që mbi rrënojat e shtëpive të tyre që janë ndërtuar me gjak dhe me djersë, të ngrihen kullat e oligarkëve, të kriminelëve dhe të trafikantëve të drogës”, deklaroi Kryemadhi.

“Shikojmë se si një polici e tillë dhe se si një ligj i tillë vendoset në mënyrë paralele për të shkatërruar provat për byronë e hetimit dhe SPAK-un, një polici e tillë dhe një strukturë e tillë që vendoset në mënyrë paralele për të penguar hetimin e veprave korruptive të Edi Ramës, të cilat i dalin jo vetëm në ëndërr, por nuk e lënë të flejë. Duke filluar që me koncensionarët e famshëm dhe më pas në të gjitha projektet e tij korruptive të cilat kanë kaluar në një Parlament ilegjitim”, shtoi Kryemadhi.