Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në një deklaratë shpërndarë për mediat thekson se është e pamundur që në këtë moment kur të gjitha energjitë janë përqëndruar në operacionet e kërkim – shpëtimit, që të kemi një panoramë të detajuar të dëmeve.
“Dëmet janë të mëdha, këtë e dimë. Ky ishte tërmeti më i forte që ka përjetuar vendi ynë që prej vitit 1979 dhe goditja e mëngjesit të sotëm është shoqëruar nga 250 pasgoditje, të cilat sipas ekspertëve sizmiologë pritet të vijojnë, shpresojmë me intensitet me te ulet sic eshte trendi, deri ne stabilizimin e pllakave tektonike”, thotë ajo.
Deri në orën 18.30 minuta raportohet se 21 persona kanë humbur jetën në prefekturën Durrës, saktësisht në Durrës dhe Thumanë si pasojë e shembjes së godinave. Por sipas ministres, ky bilanc tragjik mbetet ende për t’u konfirmuar zyrtarisht nga strukturat përkatëse të shëndetësisë dhe rendit sipas protokollove të ekspertizës përfundimtare.
Në godinat e shembura vazhdon puna e kërkim shpëtimit, pasi një numër qytetarësh rezulton të jenë ende të bllokuar ndërkohë që për disa të tjerë nuk ka raportime nëse janë ndodhur apo jo në banesa, në momentin e lëkundjeve të tokës.
Falë ndërhyrjeve të ekipeve të specializuara, 45 persona kanë mundur të shpëtohen duke u nxjerrë nga rrënojat e duke u dërguar për ndihmë mjekësore. Rreth 600 banorë janë lenduar dhe kanë marrë ndihmën pranë spitaleve apo qendrave shëndetësore.
Ministrja u bën thirrje të gjithë personave që kanë banesat e dëmtuara të mos hyjnë në banesa, pa u bërë më parë inspektimi nga njësitë e specializuara.