Edhe në ditë të vështira si këto që po kalon vendi nuk mungojnë njerëzit që tentojnë të përfitojnë në në mënyrë të ulët dhe kriminale nga fatkeqësitë.
Policia ka vënë në pranga një 30-vjeçar në Lezhë.
Arjan Meli nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka hapur një llogari me emrin “Rilindje”. Në këtë faqe, ky shtetas, ka postuar një status në emër të Kryeministrit, duke u bërë thirrje qytetarëve për solidarizim duke kontribuuar në vlera monetare në dy numra llogarie, të cilat ky shtetas i kishte publikuar në këtë status.
Numrat e llogarisë ishin llogari private të këtij shtetasi dhe se gjatë kësaj kohe të shkurtër qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e këtij mashtrimi duke bërë derdhje shumash të ndryshme.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Inteligjencës Financiare dhe të sistemit bankar kanë marrë masa për bllokimin e kësaj llogarie.
“Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe në dhënien ndihmë të çdo qytetari në nevojë. Policia e Shtetit dënon çdo fenomen abuzimi në këto momente kritike për të gjithë dhe ju informon se nëpërmjet strukturave të specializuara të saj, si dhe në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese është duke punuar intensivisht për kontrollin, monitorimin e vazhdueshëm të situatës, zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore”, tha zv/drejtoresha e përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, gjatë një deklarate për mediat.
Ashtu siç është bërë e ditur vazhdimisht nga strukturat shtetërore, i vetmi kanal unik shtetëror për ofrimin e donacioneve apo ndihmave është nëpërmjet portalit e-albania/dhuro.
Policia e Shtetit, duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjitha familjet e dëmtuara, thote se mbetet e angazhuar maksimalisht, në misionin e saj në shërbim të qytetarëve. Për çdo denoncim apo sinjalizim të çfarëdolloj abuzimi apo shkeljeje të ligjit, telefononi në numrin 112.