Toka po i drejtohet “pikës globale të moskthimit” nëse kriza klimatike vazhdon në këtë rrugë, kanë paralajmëruar një grup shkencëtarësh të cilët i kanë bërë thirrje shteteve që të ndërmarrin masa për të shmangur atë që e kanë quajtur “një kërcënim ekzistencial ndaj qytetërimit”.
Grupi i shkencëtarëve, të cilët publikuan një koment të gjatë në revistën “Nature” thotë se ka dëshmi të forta që tregojnë se ndryshimet e pariparueshme në sistemin ambiental të Tokës janë duke ndodhur dhe tani jemi në “një gjendje urgjence planetare”.
“Pika globale e kthesës” është pragu pas të cilit sistemet e planetit kalojnë përtej pikës së moskthimit, si humbja e pyllit tropikal të Amazonës, përshpejtimi i shkrirjes së shtresave të akujve, thonë autorët e artikullit.
Një kolaps i tillë mund të sjellë krijimin e kushteve të tejskajshme të cilat mund t’i bëjnë të pajetueshme disa zona në Tokë. “Ne kemi prova që koha e ndërhyrjes për të parandaluar pikën e kthesës mund të ketë përfunduar, ndërsa na kanë mbetur edhe vetëm 30 vite për të arritur synimin e zerimit të emetimeve të gazrave ndotës”, thonë autorët.
Skuadra e shkencëtarëve, e drejtuar nga Timothy Lenton, profesor i ndryshimeve klimatike dhe shkencës së sistemit të Tokës në Universitetin e Eksterit në jug të Anglisë, thotë se ka identifikuar 9 zona ku pika e kthesës ka nisur tashmë.
Shkatërrimi i Amazonës, pakësimi i detit të ngrirë në Arktik, shkatërrimi masiv i barrierave koralore, shkrirja e akujve në Groenlandë dhe Antarktidë, shkrirja e akujve të përhershëm, destabilizimi i pyjeve borealë dhe ngadalësimi i qarkullimit të oqeaneve janë disa prej të dhënave që tregojnë se mund të kemi arritur në pikën e moskthimit.
Skuadra e kërkuesve pretendon se këto ngjarje ndërlidhen dhe ndryshimi i njërës do të ketë pasoja në tjetrën, duke sjellë edhe përshkallëzimin e krizave.
Ideja e pikës së moskthimit sa i përket ndryshimeve klimatike nuk është e re. Koncepti është futur që prej 20 vitesh nga një panel ndërqeveritar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Në atë kohë, grupi i punës deklaroi se pika e moskthimit do të arrihej kur temperaturat në Tokë të rriteshin mbi 5 gradë Celsius në krahasim me periudhën paraindustriale, por studimet e dy viteve të fundit tregojnë se kjo mund të ndodhë edhe nëse temperaturat rriten vetëm me 1 ose 2 gradë Celsius. Dhe në fakt, temperaturat sot janë 1 gradë Celsius më të larta se sa në periudhën paraindustriale dhe vazhdojnë të rriten, me një parashikim që brenda vitit 2100 mund të rriten mbi 3,2 gradë Celsius.