Pas fitores në transfertën çeke ndaj Slavias së Pragës në Champions League, entuziazmi në shtëpinë e Interit mbetet i lartë dhe për sfidën e nesërme ndaj Spalit, pritet të jenë më tepër se 60 mijë tifozë në shkallët e “San Siro”-s.
Trajneri Antonio Conte ka dalë në konferencën e zakonshme për shtyp dhe ka deklaruar se Interi i tij është një surprizë e bukur e kampionatit, ndërsa ka bërë apel për kujdes, pasi entuziazmi i pakontrolluar mund të kushtojë shtrenjtë.
“Jemi në një moment të mirë dhe shumë entuziastë, por duhet të dimë të menaxhojmë edhe këtë element, pasi mund të ndëshkohemi ndaj Spalit dhe do të më vinte shumë keq po të ndodhte. Nëse triumfojmë nesër do të shkojmë në kuotën e 12 fitoreve në 14 ndeshjet e para, diçka që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e këtij klubi, por nuk dua të bëj llogari”, deklaroi Conte.
Lautaro Martinez dhe Milan Skriniar rrezikojnë pezullimin për ndeshjen e ardhshme ndaj Romës, nëse ndëshkohen me karton të verdhë nesër, por Conte nuk ka ndërmend t’i lërë pushim, ndonëse thekson se beson shumë edhe te i riu Espozito.
“Unë nuk bëj llogari për kartonët, pasi ndeshja nesër, ashtu si ajo ndaj Romës, vlen 3 pikë. Natyrisht që kam besim te Espozito dhe mund të luajë edhe ai nga minuta e parë, ashtu si edhe në mbrojtje kemi alternativa, por këto llogari do t’i bëjmë me stafin, pa pasur parasysh numrin e kartonëve”, tha trajneri zikaltër.
Në fund Conte foli edhe për sulmuesin brazilian në pronësi të Interit, Gabigol, duke thënë se e admiron dhe se është i lumtur për momentin që po kalon, por theksoi se për të ardhmen e tij ka folur qartë Marotta.