Kryetari i Partisë Demokratike, vizitoi sërish Durrësin, ku është ndalur të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve. Basha ishte në lagjen 17, ku një pallat ishte i dëmtuar nga tërmeti.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të banorëve, Basha tha se, “qeveria ka detyrat e veta, opozita ka detyrat e veta. Ju po e shikoni, ne vetëm luftë politike nuk po bëjmë. E rëndësishme është që ne të sjellim zërin dhe shqetësimet tuaja. Ky është roli ynë. Nëse ne e marrim zërin tuaj dhe e kthejmë në politikë për karrigen tonë, ne bëjmë gabim. Nëse ne çojmë shqetësimin tuaj atje, ne e kemi bërë detyrën tonë, sepse po nuk e bëmë ne, nuk ka kush ta bëjë”.
“Edhe po të ishim në role të ndryshme, ne në qeveri dhe ata në opozitë, këtë do kërkoja nga ata. Nuk do kërkoja të bëja fotografi bashkë. Do t’u kërkoja ‘merrni zërin e njerëzve na e sillni dhe shikoni si po e bëjmë ne punën” Se këtë detyrë ka opozita. Po u shkri opozita, nuk ka më kush t’ju mbrojë”, tha Basha.