Kongresi i 116 i Shteteve të Bashkuara është një ndër më të “diversifikuarit” në historinë e vendit dhe asgjë më tepër nuk e tregon këtë se sa një foto e bërë “virale” e librave të shenjtë të thuajse të gjitha feve botërore në të cilët janë betuar anëtarët e tij.
Mbi 12 të tillë janë përdorur këtë sesion, mes tyre edhe Kushtetuta amerikane, por edhe Kurani apo Bibla Ortodokse. Mes “debutuesve” ishte libri i shenjtë i fesë islame, pasi Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib u bënë të parat myslimane që shërbejnë në kongres.
Tlaib, demokrate nga Miçigani, është gjithashtu e para palestineze-amerikane që shërben në kongres.
Ajo pati deklaruar se për betimin do të përdorte Kuranin disa shekullorë të Thomas Jefferson, për të treguar se “islami ishte pjesë e historisë amerikane”.
Edhe pse në “Capitol Hill” dominojnë të krishterët, diversiteti fetar është në rritje. Afërsisht 9/10 pjesëtarë të Kongresit vetë identifikohen si të krishterë, sipas një sondazhi të fundit. Vetëm 2 nga 253 republikanë nuk identifikohen si të tillë: Lee Zeldin dhe David Kustoff, të cilët janë hebrenj.
Mes demokratëve, 61 nga 281 nuk identifikohen si të krishterë. Përafërsisht gjysma e tyre janë hebrenj, 18 nuk kanë pranuar të tregojnë se cilën fe praktikojnë, tre janë myslimanë, tre janë hindu, dy janë budistë, dy janë Universalistë Unitarianë dhe një nuk ndjek asnjë besim fetar.
Edhe pse Kushtetuta amerikane thotë se betimi mund të bëhet vetëm duke pohuar me zë se do t’i shërbehet asaj, senatorët dhe përfaqësuesit e kongresit janë të lirë të betohen mbi çdo libër të shenjtë që ata preferojnë.