Zgjerohet bojkotimi i ceremonisë së dorëzimit të Çmimit Nobel për Letërsinë si dhe shtohen zërat kundër vlerësimit të shkrimtarit Peter Handke. Pas vendimeve të Kosovës dhe Shqipërisë, Turqia i ka bërë thirrje Akademisë Mbretërore Suedeze që të tërheqë vendimin për dorëzimin e Nobelit ndaj austriakut.
Zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalin, e konsideron absurd vlerësimin e një personi që mohon gjenocidin e Srebrenicës dhe mbron kriminelët serbë të luftës. “Ky vendim i turpshëm duhet të tërhiqet. Si mund t’i jepni çmim dikujt pa vetëdije morale dhe ndjenjën e turpit. Për të inkurajuar gjenocide të tjera?”, tha Kalın.
Ndërkohë, kundërshtimi i nderimit të Peter Handke vjen dhe nga brenda Akademisë Mbretërore Suedeze. Peter Englund, një anëtar i hershëm, bojkotoi ceremoninë e dorëzimit të Nobelit duke e konsideruar vlerësimin e shkrimtarit austriak një hipokrizi të shpifur.
Që prej shpalljes së fituesit në muajin tetor, Akademia Nobel është përballur me akuza dhe kritika të forta, për të shkuarës së Handke të lidhur ngushtë me ish-Presidentin serb, Sllobodan Millosheviç, i cili ka masakruar mijëra boshnjakë dhe shqiptarë të Kosovës. Gjatë një konference për media, shkrimtari austriak nuk pranoi të komentonte të shkuarën e tij, ndërsa pati dhe një përplasje me gazetarët.