Java e 15 e kampionatit italian solli humbjen e parë të sezonit për Juventusin, por mbi të gjitha konfirmoi krizën në klubin e Napolit dhe atë të Fiorentinës, ku trajnerët përkatës Carlo Ancelotti dhe Vincenzo Montella janë në dyshim për vijimësinë.
Kështu napolitanët nuk fitojnë në kampionat që prej 19 tetorit kur mposhtnin Veronën 2-0 dhe në 7 ndeshjet e ardhshme kanë regjistruar 2 humbje e 5 barazime, duke rënë në vendin e 7 me 21 pikë, 17 më pak se Interi kryesues dhe 8 më pak se vendi i katërt që të çon në Champions.
Ancelotti ka dhënë sinjale se nuk ka ndërmend të tërhiqet, ndërsa De Laurentiis ka filluar të shqyrtojë alternativat që mund t’u besojë skuadrën, ndërkohë që shpreson ende në një dorëheqje të Don Carlos, për të kursyes nga paga e tij e lartë.
E njëjta situatë edhe në Firence, me Fiorentinën që nuk fiton prej 5 javësh, gjatë të cilave ka barazuar 1 dhe ka humbur 4, ndërsa këtë fundjavë në “Artemio Franchi” do të jetë mysafir Interi kryesues.
Presidenti Commisso ka konfirmuar vazhdimisht besimin ndaj trajnerit Vincenzo Montella, por situata e krijuar ka lëkundur pankinën e këtij të fundit, që në rastin më të keq pritet të shkarkohet këtë javë dhe në rastin më të mirë, do të luajë shanset e tij në ndeshjen me Interin.
Nuk po kalon një moment të mirë as Genoa e Thiago Mottës, që gjithashtu nuk fiton prej 6 ndeshjesh dhe pozicionohet në zonën e ftohtë të renditjes. Tekniku italo-brazilian debutoi me një fitore bindëse me përmbysje, por më pas ka arritur të marrë 3 barazime e 3 humbje radhazi.
Presidenti Gasperini ka nisur të dyshojë mbi vijimësinë e Mottës dhe po mendon për alternativat që mund ta zëvendësojnë, ndërsa duket se derbi i fundjavës me Sampdorian do të jetë edhe testi final i teknikut italo-brazilian.
Nëse rezultatet nuk përmirësohen duket e vështirë që ata të festojnë Krishtlindjen në punë.