Kina po i përgjigjet kërkesës në rritje për dronë të armatosur në Lindjen e Mesme, duke shtuar kapacitete të reja ushtarake në një situatë të tensionuar sigurie, sipas një raporti të ri të Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, me qendër në Londër. Irani është një nga aktorët rajonalë që përdorin teknologjinë e re për misione të rrezikshme.
Në një emision të kohëve të fundit, televizioni shtetëror kinez, CCTV vlerësonte përhapjen globale të programit për dronët e armatosur të vendit, të quajtur UAV.
Krijuesit e dronit, thonë se sapo kanë shitur modelin e tij të 100-të, të quajtur Wing Loong. Zëri i Amerikës nuk mund të konfirmojë vërtetësinë e videos.
“Një nga aftësitë është monitorimi i vazhdueshëm i gjendjes në fushën e betejës dhe tjetra është të godasë objektivat në kohën e duhur. Këto karakteristika tërheqin shumë klientë përsa i takon luftës moderne”, thotë Li Yidong, i Korporatës së Industrisë së Aviacionit të Kinës.
Kina po plotëson kërkesat në rritje në Lindjen e Mesme për dronë të armatosur, sipas raportit të Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara.
“Meqenëse Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar në përgjithësi, me përjashtim të Britanisë dhe Francës, që të eksportojnë modele të armatosura të serive Predator dhe Reaper të dronëve të armatosur, Kina ka marrë hapa të plotësojë këtë nevojë. Dhe megjithëse ofertat si seria Wing Loong ose CH-4 nuk janë aq të përparuara teknologjikisht sa ato amerikane, ato i jepen çdo shteti që do që t’i blejë”, – thotë Justin Bronk i
Në Iran, Turqi dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, autorët e raportit thonë se dronët po përdoren në situata ku avionët konvencionalë me pilot, do të paraqisnin rrezikshmëri të lartë.
“Në rastin e Iranit, zhvillimi i dronëve të armatosur, i modeluar kryesisht sipas atyre të Izraelit, i ka dhënë mundësi që të kryejnë goditje ajrore në Irak dhe Siri pavarësisht faktit që forca e tij ajrore është shumë e vjetëruar, me kufizime dhe shumë e vlefshme që të rrezikohet në hapësira ajrore që kryesisht kontrollohen nga fuqi kundërshtare si Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli”, – thotë zoti Bronk.
Turqia, Izraeli dhe Arabia Saudite po zhvillojnë me shpejtësi programet e tyre të dronëve të armatosur.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka premtuar që t’i zbusë ndalimet e eksporteve për sistemet amerikane të dronëve të armatosur por nuk është e qartë se kur mund të bëhet kjo. Autorët e raportit thonë se një ndryshim i tillë politikash do të kishte një ndikim të madh të përdorimi I teknologjisë në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.