Bashkimi Europian i është përgjigjur vetos së Francës për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke njoftuar se do të propozojë në janar një proces të ri për pranimin e anëtarëve, sipas parimit që nëse njëra palë i mban premtimet, atëherë ashtu duhet të bëjë edhe pala tjetër.
”Metodologjia e rishikuar për negociatat e zgjerimit ka të bëjë me bërjen e bisedimeve të pranimit më të besueshme dhe të parashikueshme për të gjitha palët”, deklaroi komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi.
Njoftimi vjen pasi Parisi, mbështetur nga Danimarka dhe Holanda, bllokoi hapjen e premtuar të negociatave me shtetet e Ballkanit në muajin tetor.
Parisi, Kopenhagën dhe Haga thanë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhej të reformonin më tej administratën e tyre dhe sistemin e drejtësisë.
Ky vendim irritoi qeverinë e Maqedonisë së Veriut, që kishte ndryshuar emrin e vendit për të kapërcyer kundërshtimet nga Greqia.
Më tej Paris argumentoi muajin e kaluar se procesi i pranimit në BE ka nevojë për reformë dhe se blloku duhet të përqendrohej fillimisht në reformimin e tij, që pastaj të merrte në konsideratë anëtarët e rinj.
Varhelyi theksoi në një postim në Twitter se ”politika e zgjerimit dhe integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor është një objektiv i rëndësishëm strategjik për BE”.
Ai shtoi se ”procesi i ri i reformës do të sigurojë që nëse njëra palë i mban premtimet, ashtu duhet të bëjë edhe pala tjetër”.
Aktualisht, procesi i pranimit përfshin negocimin e 35 kapitujve, që vendi kandidat të përafrohet me legjislacionin e BE-së.