Charlize Theron foli haptazi për natën kur nëna e saj vrau babain për vetëmbrojtje.
Në një intervistë për NPR, aktorja rrëfeu ngjarjet e qershorit të vitit 1991, kur babai i saj, Charles Theron, kërcënoi nënën e saj, Gerda. Charlize ishte 15 vjeçe asokohe.
“Babi ishte aq i pirë sa s’ishte në gjendje të ecte kur u kthye në shtëpi me armë në dorë”, tha Charlize. “Unë dhe mami ishim në dhomën e gjumit, duke ushtruar presion pas dere sepse ai insistonte të hynte brenda”.
Ajo vijoi: “Të dyja po mbanim derën mbyllur me forcë që të mos hynte ai. Babi bëri ca hapa pas dhe qëlloi me armë tre herë derën.”
“S’na kapi asnjë nga plumbat. Ishte një mrekulli”, shtoi aktorja.
Për të shpëtuar veten dhe të bijën, Gerda qëlloi bashkëshortin.
“Për të mbrojtur veten, ajo i dha fund kërcënimit”, tha Charlize. Për këtë arsye, nëna e saj nuk u akuzua dhe as u dënua nga ligji.
Ngjarja e frikshme la shenjë në jetën e Charlize. Aktorja tha: “Dhuna në familje, kjo lloj dhune brenda familjes, është diçka që e kam përjetuar unë dhe shumë të tjerë”.
“Nuk më vjen turp të flas në lidhje me këtë sepse mendoj se sa më shumë të flasim për tema të tilla, aq më e qartë bëhet që s’jemi të vetmit që e vuajmë. Për mua, kjo ngjarje përkufizon më së miri si është të rritesh nga një njeri i varur dhe se çfarë i bën varësia dikujt”.
Charlize e përshkroi të atin si “një njeri i sëmurë” dhe “i alkoolizuar”.
“E njihja vetëm si të alkoolizuar”, tha ajo. “Ishte një situatë e pashpresë. Familja jonë kishte ngecur me të (…) Ishim një familje shumë e pashëndetshme dhe mendoj se çfarë ndodhi, na la shenjë. Sigurisht, do të doja të mos kishte ndodhur kurrë çfarë ndodhi atë natë, por për fat të keq, janë të pashmangshme të tilla situata kur nuk e zgjidh problemin në rrënjë.”
Charlize është treguar gjithnjë e hapur në lidhje me të kaluarën e saj, në lidhje me vrasjen e babait dhe ndikimin që nëna ka pasur në jetën e saj.
Në tetor të 2018-s, ajo falenderoi Gerda-n që e bëri një grua të fortë. “Jam me fat që kam një nënë që më mësoi të jem e fortë dhe trime”, tha ajo në një event të Elle.
“Nuk e di ç’do të isha bërë pa të.”