SHÇBA, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës, procedoi 1 punonjës policie me detyrë kontrollor në Portin e Durrës, si dhe arrestoi 2 shtetas të tjerë, të cilët në lidhje me njëri-tjetrin, dyshohet se trafikonin nëpërmjet pikës së kalimit të kufirit, shtetas të ndryshëm me probleme në zonën Shengen, kundrejt pagesave të konsiderueshme deri në 3.000 euro.
Në një njoftim për mediat nga Ministria e Brendshme thuhet se procedimi është ndjekur me metoda speciale të hetimit për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave, që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm”, pasi shtetasit si dhe personat e tjerë të dyshuar, në bashkëpunim me njëri tjetrin, organizonin dhe kryenin trafikim, nëpërmjet Pikës së Kalimit Porti Durrës.
Pas hetimit për një periudhë 3-mujore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Durrës, u finalizua operacioni “Sekseri” ku u arrestuan në flagrancë shtetasit: B.D., 44 vjeç, lindur e banues në Durrës, me detyrë punonjës në Zonën e Terminalit, i një shoqërie të kontraktuar nga Autoriteti Portual Durrës. Ky shtetas, në rolin e sekserit, organizonte dhe ndërmjetësonte me punonjës policie, duke krijuar kushte për kalim të paligjshëm të personave me probleme në zonën Shengen. Në cilësinë e provës materiale në momentin e arrestimit, iu sekuestrua vlera prej 1.300 euro, vlerë e përfituar nga kalimi i paligjshëm i shtetasit.
T.D., 28 vjeç me banim në Durrës, me detyrë agjent doganor i një agjencie doganore private, në rolin e bashkëpunëtorit, i cili ndihmonte në gjetjen e klientëve për kalime të paligjshme. Iu kapën dhe sekuestruan 500 euro.
Ndiqet në gjendje të lirë punonjësi i policisë V.C., 32 vjeç, me detyrë kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Durrës.
Hetimi vijon për zbulimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të implikuar në këtë veprimtari kriminale.