Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijoi takimet me banorët e prekur nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.
Kreu demokrat vizitoi banorët e Shënavlashit në Durrës, nga ku u shpreh se qytetarët janë futur tashmë në sfidën e mbijetesës, të harruar nga qeveria.
“Të braktisur nga qeveria e cila ka dështuar në gjithçka përveç propagandës çnjerëzore që nuk kursen as fëmijët që humbën prindërit, mijëra familje janë lënë në mëshirë te fatit. Shumë prej tyre vazhdojnë të kalojnë net të ftohta në çadra, pa ngrohje pa ushqim, në kushte të mjerueshme. Kanë kaluar tre javë nga tërmeti dhe ende mijëra banesa nuk kanë vlerësim për gjendjen e tyre, e të tjera kanë dy apo tre vlerësime kontradiktore. Shumë qytetarë janë kthyer në banesat e tyre të dëmtuara ose të pa banueshme sepse nuk kanë një vend ku të qëndrojnë duke rrezikuar jetën e tyre. Asnjë ndihmë, asnjë zgjidhje. Çdo ditë që kalon po i rëndon pasojat sociale dhe ekonomike të tërmetit të 26 nëntorit”, shkroi Basha në Facebook.
Më tej, Basha thotë se është skandaloze që tre javë pas tërmetit nuk ka ende një bilanc të dëmeve. “Është kriminale që banesat e shpallura të pabanueshme të rivlerësohen të banueshme vetëm se qeveria e Ramës nuk do të prekë paratë që u jep oligarkëve. Është kriminale që qytetarët jetojnë ende në çadra, pa asnjë përkrahje që të mos preken 150 milionë dollarë që janë ndarë nga Rama për koncesionet e 10 oligarkëve. Kjo fatkeqësi natyrore është kthyer tashmë në një fatkeqësi shtetërore”.