Ligji i ri anti-shpifje nuk i mbyll portalet. Kështu deklaroi këtë të mërkurë kryeministri Edi Rama. Ai u shpreh se kush thotë se ligji mbyll mediat online gënjen. Gjithashtu kreu i qeverisë tha se AMA nuk e zëvendëson gjykatën me paketën e re.
“Nuk ekziston mbyllja. Kush thotë që ky ligj mbyll portale gënjen. Nëse ka një element që nuk ka qenë fare qysh në variantin e parë fare, në variantin gjerman, ka qenë e drejta për të mbyllur në sekondë çdo portal që ka pedofili, nuk besoj se keni kundërshti me këtë, terrorizëm dhe cënim të sigurisë kombëtare. Askush nuk mundet dot, të pretendojë se një shkrim ndaj tij kërcënon sigurinë kombëtare. Jo, kërcënon, patjetër qetësinë familjare. AMA nuk zëvendëson gjykatën. Është instanca ku konkludohet, por gjykata shqyrton problemin që ngrihet nga AMA. Por kur nuk lexon ligjin flet kot se ligji e ka të qartë fare këtë”, tha kryeministri.
Kryeministri Edi Rama deklaroi i vendosur se paketa antishpifje do të miratohet sot.
“Duan organizatat nuk duan organizatat, duan heronjtë që janë tek dera me Peçi Vasilin (Petrit Vasilin në krye nuk duan ata, ky ligj do kalojë sot dhe do i japë thjesht dhe vetëm një instrument sidoqoftë të thjeshtë çdo individi që pasi kur del tek dera e shtëpisë ha një batare me llum e baltë të ketë një adresë ku të shkojë të ankohet. Më falni këtë baltën ma hodhën por a ka mundësi që këtë baltë të mos ma hedhin më”, tha Rama.
Rama nënvizoi se kjo paketë është 100% e përputhur me standardet ndërkombëtare dhe la të hapur mundësinë e korrigjimit të paketës në vijimësi.
“Nuk ka ligj të përsosur. Çdo ligj është i përmirësueshëm por nuk mund ta shtyjmë në pafundësi në kërkim të perfeksionit. Ky ligj do të miratohet sot si një e drejtë që do të mbrohet nga llumi i shpifjes dhe ne do vazhdojmë punën për aspektet proceduriale rregullatore siç kemi rënë dakord dhe nga fjalia e parë tek fjalia e fundit ligji është 100% i përputhur me standardet ndërkombëtare. Nuk jua them unë por jua them të konfirmuar 100% me shkrim nga institucioni i përcaktuar për të ndjekur këtë process, që është OSBE”, tha kryeministri.
Ndërkohë Rama la të kuptojë se vetë nuk do të ndjekë rrugën që parashikon ligji për t’u ankuar tek AMA, por do ndjekë çështjen në gjyq.
“Që ta dini sot unë personalisht nuk merrem me AMA. Unë me këta do shkoj në gjykatë. Janë bërë nja 60 çështje. Mund të shkojnë 600 apo 6 mijë, varet sa do rrijë këtu. Këta ose do të vijnë të provojnë në gjykatë që ata që thonë janë të vërteta. Dhe nëse njëri do dalë që do ta provojë unë do iki që këtu ose këta do të dënohen në gjykatë si fajtorë për përhapjen e shpifjeve. Duke qenë se pas tërmetit kam hapur librat e shenjtë për ti ndarë dhe me ju nuk po ju them çfarë thonë ata, për shpifjen e shpifësit por po ju siguroj se ata që thotë Kurani janë shumë herë më të rënda se ata që mund të them unë në ditën kur mund të jem më i angazhuar se kurrë kundër tyre”, tha shefi i qeverisë.
Rama tha se presidenti Ilir Meta do e kthejë pr/ligjin.
“Nga sot të gjithë shqiptarët do ta dinë që kanë në dispozicion një instrument që do ta vënë në punë pas Vitit të Ri se presidenti do na e kthejë para Vitit të Ri“, tha Rama.