Protesta e studentëve ka qenë një ndër temat më të diskutuara të fundvitit dhe lidhur me këtë ka folur edhe në emisionin “Xing me Ermalin” në Tv Klan edhe kryeministri Edi Rama.
Lidhur me kërkesat e studentëve kryeministri tha se ka plotësuar dhe do të plotësojë më shumë se ç’kërkojnë ata, por vuri edhe një herë theksin tek dialogu për t’i dhënë zgjedhje problemeve.
Ermal Mamaqi: E hëngrët një supershpullë nga studentët ë?
Edi Rama: Pse e thua këtë, një supershpullë?
Ermal Mamaqi: E the vetë.
Edi Rama: Unë thash një shuplakë.
Ermal Mamaqi: Po në gjuhën tonë të lagjes është shpullë…
Edi Rama: Shumë mirë që e morëm, se na bëjnë mirë hera herës. Por ama ne jemi ndryshe, kthejmë faqen tjetër dhe reflektojmë, nuk i përgjigjemi shpullës me plumb.
Ermal Mamaqi: Ua, qenkeni të krishterë se këtë e kam dëgjuar në bibël unë, thotë pastori i kishës time kur të qëllon njeri, ktheji faqen tjetër.
Edi Rama: Po doktori çfarë thotë? Kur qëllon njëri shkelmin tjetri. Doktoresha çizmen tjetër.
Ermal Mamaqi: Pashë edhe shumë studentë që më shkruanin, pse tallesh me protestën, pse na ul. Ky dialogu për çfarë duhet, plotëso pikat dhe biem rehat. Ky dialogu për çfarë duhet?
Edi Rama: Dialogu duhet. Ne kemi plotësuar dhe do të plotësojmë më shumë se ç’kërkojnë ata, jo për t’i marrë me të mirë, por sepse janë gjëra të drejta dhe të domosdoshme në këtë fazë.
Ermal Mamaqi: Ta ndihmosh veten se thanë që do dalin prapë ata.
Edi Rama: Ti hyre deri në shtëpinë time dhe s’të pengoi njeri. Ata le të dalin, s’i pengon njeri. Rëndësi ka që ne të bëjmë gjërat e drejta dhe të duhura për ta, prindërit e tyre dhe universitetin. Një pjesë e tyre ishin mosbesues dhe e thonin: Nuk flasim me këtë se e pësojmë si Luli. Janë mosbesues. Por në Janar ata do të shikojnë që nuk do të paguajnë pjesën e tarifës që kemi marrë përsipër ne, por do ta paguaj qeveria. Ashtu si kundër shumë gjëra të tjera janë vënë në vijë dhe do të bëhen. Ajo që ka shumë rëndësi është që një pjesë e tyre janë atje se i thotë doktoresha se i thotë Luli artisti, se e kam artist apo Kadri qorri si e ka ai. Ka lloj-lloj. E rëndësishme është që ne të bëjmë gjënë e drejtë dhe të duhur.
Ermal Mamaqi: Ti ke thënë që nëse nuk plotësohen kërkesat do dalësh edhe vetë në protestë.
Edi Rama: Unë jam në protestë.
Ermal Mamaqi: Si po proteston kundër vetes?
Edi Rama: Jam kundër një sistemi brenda Universitetit që ka nevojë të tronditet rrënjësisht. Siç u trondit sistemi i drejtësisë duhet të tronditet edhe sistemi i Universitetit.