Massimiliano Allegri flet për veten, pas largimit nga Juventusi. Ai tregon mbi të gjitha konceptin e tij të futbollit, aspak si një “i burgosur”. Trajneri nga Livorno, në një intervistë për ESPN, zbulon idetë e tij, pa anashkaluar asnjë kritikë: “Në Itali, taktikat dhe skemat janë të gjitha si kurvat. Futbolli është art dhe artistët janë kampionët e shkëlqyeshëm. Ju nuk duhet t’u mësoni asgjë. Duhet t’i admironi ato dhe t’i vendosni në kushte ideale taktike për të dhënë më të mirën. Është bukur kur shoh një kampion të shkëlqyer, që bën shfaqje të tilla. Në stol jam spektator i një “showman”-i, që është lojtari. Kur topi arrin te Ronaldo, Dybala, Ronaldinho, Seedorf apo Pirlo, unë duhet t’i vendos të tjerët në një pozicion për të marrë topin tek ata, por më pas, kur ta kenë topin, ata vendosin çfarë të bëjnë, cila është zgjidhja më e mirë”.
Më në fund, Max tregon metodën e tij për të kuptuar nëse një lojtar është fizikisht i gatshëm për të dalë në fushë: “Federico Tesio, një nga trajnerët më të mëdhenj të kuajve të garave, në të gjitha kohërat, gjithmonë thoshte: për ta kuptuar si është një kalë, duhet të shohësh se si i lëviz këmbët në mëngjes. Edhe futbollistët janë e njëjta gjë. Kështu e shihni nëse janë të aftë apo jo fizikisht për ndeshje. Pastaj, futni në shënimet e mbajtura, shikoni statistikat dhe konfirmojeni atë.
Gjithmonë iu them ndihmësve të mi që të shohin se si lojtarët i lëvizin këmbët e tyre, jo kompjuterin. Në paditurinë time, nuk kam as kompjuter në shtëpi, kam një iPad, që ma dhanë te Juve. Atje shikoj lojërat dhe studioj disa të dhëna. Për fat të mirë kam një kujtesë të madhe, mund të mbaj mend se çfarë ndodh në lojëra”.