Dosjet e pronave që ka hetuar ndër vite janë pista kryesore për atentatin paralajmërues ndaj prokurorit të Vlorës Albert Kuliçi, që njëherësh është në krye të task forcës kundër krimit ekonomik.
Prokurori Kuliçi ka pasur në dorë disa prej çështjeve më të bujshme të abuzimit dhe tjetërsimit të pronave në qytetin bregdetar, për disa prej të cilave ka çuar njerëz pas hekurave, ndërsa të tjera i ka ende në proces hetimi.
Ai ka pasur nën hetim zyrtarë të hipotekës, administratës lokale dhe biznesmenë të dyshuar si të përfshirë në skemën gjigande të tjetërsimit të mijëra metrave katror tokë në Karaburun, Rradhimë dhe zonën e Zvërnecit.
Ndërsa vetëm muajt e fundit, me firmën e Kuliçit janë sekuestruar mbi 4 milion euro pasuri të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
Ndërsa më herët, Albert Kuliçi ishte prokurori që kërkoi dënimin e ish-kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika për shpërdorim detyrë për ndërtimin e një pallati 11 katësh në qytetin bregdetar.
Për shkak të kësaj pune, grupi i posaçëm hetimor që po ndjek hetimet ka krijuar bindjen se atentati paralajmërues ka si motiv detyrën si prokuror.
Këtë pistë e ka orientuar edhe vetë prokurori në dëshminë e tij të parë para kolegëve.
“Deri tani na rezulton që ngjarja ka të bëjë me detyrën e prokurorit, por nuk mund të të sqarojmë dot pistën”, deklaroi drejtori i policise.
Makina në pronësi të Prokurorit, Albert Kuliçi u hodh në erë me eksploziv në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Ngjarja ndodhi rreth orës tre të mëngjesit, ndërsa mjeti ishte i parkuar në rrugicat e lagjes 28 Nëntori.
Por orari i përzgjedhur dhe skema, tregojnë se qëllimi i sulmit është vetëm paralajmërues.
Burimet thonë se autori i tritol vënies ka qenë një person i maskuar, i cili është kapur nga kamerat e sigurisë në veprim.
Mbi bazë të asaj pamje, ekspertët po punojnë për identifikimin e tij.
Hetimet do të kryhen nga prokuroria e Vlorës, për shkak të shkrirjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe krijimit të SPAK, por në ndihmë të tyre kanë shkuar ekspertë nga Tirana.