Fundi i vitit është kohë bilancesh edhe për Qeverinë. Për këtë, Kryeministri Rama ka vendosur të thërrasë në takim, mëngjesin e të hënës, të gjithë ekipin e Këshillit të Ministrave.
Edhe këtë herë është zgjedhur formula e mbledhjeve informale jashtë selisë së Qeverisë në Tiranë. Rama do të mbledhë ministrat e tij në Golem, në një resort privat.
Pjesëmarrësit janë njoftuar se takimi do të nisë në orën 9:00 të mëngjesit dhe do të vazhdojë gjatë gjithë ditës së hënë.
Në fokus do të jetë analiza për punën e secilit dikaster në 6 muajt e fundit, ku ministrat, njëri pas tjetrit, do të japin llogari para shefit të Qeverisë në lidhje me detyrat që u janë caktuar çdonjërit prej tyre.
Gjithashtu, një vëmendje e veçantë pritet t’i dedikohet edhe pasojave të tërmetit të 26 nëntorit dhe planit për rindërtim.