Sport Atalanta e Gjimshitit turpëron Milanin, i shënon 5 gola

Atalanta e Gjimshitit turpëron Milanin, i shënon 5 gola

Atalanta vijon të shkëlqejë në Serie A, ndërsa Milani vijon të zhgënjejë. Në ndeshjen e mesditës së të dielës, skuadra, pjesë e së cilës është edhe mbrojtësi shqiptar Berat Gjimshiti, i shpërfytyroi kuqezinjtë jo vetëm me rezultatin e thellë 5-0, por edhe në lojë.

Atalanta dominoi totalisht takimin, ndërsa kuqezinjtë për asnjë moment nuk mundën të vinin në vështirësi portierin kundërshtar, duke u treguar të pafuqishëm në të gjitha drejtimet.

Gomez, kapiteni i vendasve, ishte i pari që mposhti Donnarumma-n, me një gol të bukur të shënuar që në minutën e 10. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Atalanta-s. Në 45 minutat e dyta pritej reagimi i Milanit, por vendasit as që e çuan ndërmend një gjë të tillë, duke e mposhtur portierin e kuqezinjve edhe 4 herë të tjera.

Një humbje turpëruese për Milanin, e cila tregon më së miri situatën në kampin kuqezi. Në anën tjetër, Atalanta, pasi kaloi grupet në Champions, është duke bërë një paraqitje mjaft të mirë edhe në Serie A.