Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka uruar 30 vjetorin e themelimit të Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në një mesazh të lënë në Facebook, Basha shkruan se tek PD do të gjejnë përherë mbështetjen vëllazërore, partneren e qëndrueshme dhe të palëkundur të Kosovës së pavarur, sovrane dhe të zhvilluar.
Basha thotë se LDK lindi në një kohë të errët pushtimi, si shpresë e shqiptarëve të Kosovës për çlirim kombëtar dhe demokraci, ndërsa shton se bashkimi i forcave do të bëjë të mundur përmbushjen me sukses të sfidave në interes kombëtar.
“Sot në këtë 30 vjetor të themelimit, personalisht dhe në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, dua nga zemra ti uroj mbarësi e suksese simotrës tonë Lidhjes Demokratike të Kosovës, drejtuesve dhe mbështetësve të saj.
LDK lindi në një kohë të errët pushtimi, si shpresë e shqiptarëve të Kosovës për çlirim kombëtar dhe demokraci.
Në themel të njërës prej arritjeve më të mëdha të historisë së shqiptarëve, në themelet e Pavarësisë së Kosovës qëndron shpirti, djersa dhe gjaku i drejtuesve, mbështetësve dhe atyre që besuan te LDK. Historia e LDK është histori e krenarisë së Kosovës, është pjesë e krenarisë kombëtare.
Veçanërisht në këtë ditë, është çasti të kujtojmë me nderim themeluesin e LDK, udhëheqësin e shpirtit të Kosovës së pavarur Presidentin Ibrahim Rrugova, si shembull largpamësie, emancipimi, kurajo dhe qëndrese.
Drejtuesve të LDK bashkë me urimin, dua ti garantoj se te Partia Demokratike e Shqipërisë, do të gjejnë përherë mbështetjen vëllazërore, partneren e qëndrueshme dhe të palëkundur të Kosovës së pavarur dhe sovrane dhe të zhvilluar.
Sfidat i kemi përpara por bashkimi i forcave, vizionit dhe vullneteve tona, do të bëjë të mundur ti përmbushim me sukses ato në shërbimin më të mirë të interesave tona kombëtare.
Gëzuar 30 vjetorin të dashur vëllezër dhe motra të LDK!
Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë, dhe shqiptarët kudo ku janë!”, përfundon mesazhi i Bashës.