Një vajzë 6-vjeçare nga Londra, teksa po shkruante urimet për shokët e saj në kartolinat e fundvitit, ka gjetur një mesazh nga një i burgosur në Kinë.
Vajza bashkë me nënë e saj i kishin blerë kartat në një market të Tesco. Babai i saj i tha BBC se në një nga këto karta, shkruhej: Ne jemi të burgosur të huaj në burgun e Kinës, Shanghai Qingpu. Të detyruar të punojmë kundër vullnetit tonë. Ju lutemi na ndihmoni dhe njoftoni organizatën e të drejtave të njeriut.
Tesco tha në një deklaratë se do të ndalonte shitjen e këtyre kartave ndërsa ka nisur hetimi.
“Ne u tronditëm nga këto pretendime dhe menjëherë pezulluam fabrikën ku prodhohen këto karta dhe filluam një hetim”, tha një përfaqësues i kompanisë.
Ish- të burgosurit kanë përshkruar abuzimin brutal në kampet e punës në Kinë, përfshirë rrahjet, privimin e gjumit dhe sëmundjet e patrajtuara. Gjetja e një shënimi të fshehur brenda paketimit ka tendencë të tërheq vëmendjen në të gjithë botën, megjithëse pretendimet janë të vështira për tu verifikuar dhe shpesh dyshohet se janë mashtrime aktivistësh.
Pas bërjes publike të rastit, kanë nisur menjëherë hetimet.