Kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë uruar festën e Krishtlindjes për të gjithë besimtarët ortodoksë dhe të krishterë.
Basha u ndal me një urim të veçantë për familjet e prekura nga tërmeti duke u shprehur që kjo Natë e Shenjtë u ardhtë plot shpresë dhe bekim për një të nesërme më të mirë.
Ndërsa Kryemadhi në këtë ditë feste kemi shumë për të reflektuar për tallazet e jetës, për momentet e gëzueshme dhe ato të trazuara.
Urimi i Lulzim Bashës:
Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë të krishterë, në vigjilje të Krishtlindjes ju uroj nga zemra: Për shumë vjet gëzuar!
Një lutje dhe urim të veçantë kam për të gjithë bashkëqytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Ardhtë kjo Natë e Shenjtë plot shpresë dhe bekim për një të nesërme më të mirë.
Dua të falenderoj dhe uroj në këtë natë besimtarët dhe shërbëtorët e Zotit, që me përkushtimin e tyre ndihmojnë për lehtësimin e dhimbjeve dhe vuajtjeve, duke e kthyer shtëpinë e Zotit në strehë për çdo shqiptar në nevojë.
Uroj nga zemra të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, Zoti e ndriçoftë rrugën drejt begatisë dhe bashkimit tonë si një familje e madhe për të mirën dhe mbarësinë e çdo shqiptari.
Për shumë vjet Gëzuar Krishtlindjen! Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Urimi i Monika Kryemadhit:
Ju uroj me gjithë fuqinë e zemrës gëzuar Krishtlindjet.
Kemi shumë për të reflektuar në këtë ditë feste për tallazet e jetës, për momentet e gëzueshme dhe ato të trazuara.
Dhe rrugën e reflektimit na mëson kush më mirë se,
JEZUSI FOSHNJE QË NA THOTË:
Kam lindur i zhveshur, thotë Zoti,
që ti të mësosh të zhvishesh nga vetvetja.
Kam lindur i varfër, thotë Zoti,
që ti të më konsiderosh të vetmen pasuri.
Kam lindur në një stallë, thotë Zoti,
që ti të mësosh të shenjtërosh çdo ambient.
Kam lindur i dobët, thotë Zoti,
që ti të mos kesh kurrë frikë prej meje.
Linda nga dashuria, që ti të mos dyshosh kurrë në dashurinë time.
Linda natën, që ti të besosh se unë mund të ndriçoj çdo realitet.
Linda person, thotë Zoti, që ti të mos kesh turp nga vetvetja.
Linda njeri, që ti të bëhesh Hyj.
Linda i persekutuar, që ti të dish ti përballosh vështirësitë.
Linda në thjeshtësi, që ti të mos jesh më i komplikuar.
Dua të lind në shtëpinë tënde
– thotë Zoti –
që të të marr me vete në shtëpinë Time!
Besimi në Zot, dashuria për familjen, solidariteti me njeri-tjetrin do na sjellë prosperitet si komb.
Gëzime pastë në këtë ditë të shenjtë çdo vatër shqiptare!