Aktualitet Lufta e çmendur për pronësinë e “Folie Marine”

Lufta e çmendur për pronësinë e “Folie Marine”

Kompleksi turistik ‘Folie Marine dhe Soleil Village’ në gjirin e Jalit në jug të Shqipërisë

Përfshirja e qeverisë përmes dhënies së statusit “investitor strategjik” kompanisë që zotëron një nga resortet më luksoze të rivierës shqiptare e ka rënduar përplasjen mes palëve që pretendojnë pronësinë mbi tokën, duke zhytur në kaos kadastrën e Vlorës.

Nga Jerola Ziaj dheVladimir Karaj /BIRN

Nga fillimi i shtatorit, zyra e kadastrës në Vlorë regjistroi një seri të pazakontë largimesh nga puna të drejtuesve të saj. Brenda pak muajsh, katër drejtues të këtij institucion dhanë dorëheqjen me pretendimin se vendimi i tyre bazohej në arsye personale dhe familjare.

Megjithatë, të dhënat dhe dokumentet e mbledhura nga BIRN tregojnë se ndryshe nga sa është deklaruar publikisht, dorëheqjet mund të kenë qenë të detyruara për shkak të një konflikti të fortë për një tokë me vlerë miliona euro në bregdetin e fshatit Jalë, mbi të cilën ngrihet një pjesë e resortit luksoz “ Folie Marine.”

Në mënyrë më specifike, dorëheqjet lidhen me refuzimin nga zyrtarët e Kadastrës në Vlorë për të regjistruar një vendim të Gjykatës së Lartë që pezullonte veprimet e regjistrimit të pronësisë mbi një sipërfaqe toke prej 148 mijë metrash katrorë në bregdetin e fshatit Jalë – një prej zonave më të lakmuara të Rivierës.

Vendimi i Gjykatës së Lartë u vu në lëvizje nga Avokatura e Shtetit, e cila bëri rekurs ndaj një vendimi të Gjykatës së Apelit të Vlorës që ia njihte këtë pronë familjes Gjoka nga Vunoi. Vendimi nxorri në sipërfaqe një konflikt që vijonte prej vitesh për pronën me vlerë miliona euro.

Përplasja- sipas dokumenteve që BIRN ka siguruar- është fokusuar kryesisht mbi pronësinë e 1.6 hektarëve truall, mbi të cilat është ndërtuar klubi i natës “Folie Marine” dhe dy godina pjesë të së njëjtit kompleks turistik. Mbi të njëjtën pronë, kompanisë “Soleil & Sea” i është dhënë nga qeveria statusi i “investitorit strategjik” dhe po ndërton aty një fshat turistik të njohur si “Soleil Village”.

Vlera e këtij investimi, sipas Komitetit të Investimeve Strategjike që drejtohet nga kryeministri Edi Rama është 67 milionë euro. Qeveria merr përsipër edhe mbështetjen e investitorit në problemet e pronësisë ndaj palëve të treta, por konflikti për këtë pronë duket se i ka dalë jashtë kontrollit.

Një prej palëve në konflikt, Kristo Gjoka, i cili fitoi të drejtat mbi pronën me vendim e shkurtit 2019 të Gjykatës së Apelit Vlorë, akuzon në një kallëzim penal biznesmenin Alban Xhillari dhe të afërm apo të njohur të këtij të fundit se po përdorin ndikimin e tyre në qeveri për t”ua rrëmbyer pronën me dokumente të falsifikuara, nën pretekstin e investimit strategjik.

Biznesmeni Xhillari është kundërpërgjigjur po ashtu me kallëzim penal ndaj Gjokës dhe personave të lidhur me të, që i cilëson “pjesë e një grupi të strukturuar kriminal“. Kallëzimi që Xhillari ia vuri në dispozicion BIRN është firmosur në emër të kompanisë Kempixh – një shoqëri të cilën ai e ka zotëruar dikur dhe që ka në pronësi disa prej godinave në resortin turistik.

Vetë Xhillari la të kuptohej se ai ishte investitori pas fshatit turistik, edhe pse kompania që mori statusin e investitorit strategjik është regjistruar në emër të dikujt tjetër. Të dyja palët pretendojnë implikimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të qeverisë socialiste në favor të njërit apo tjetrit.

Nga ana e saj, qeveria shqiptare përmes Avokatit të Shtetit ka marrë në zotërim me një vendim të Gjykatës së Apelit pronësinë e disa sipërfaqeve të tokës, të cilat ishin regjistruar në emër të Jani Kostës, ish-administrator i kompanisë Kempixh. Avokati i Shtetit ka bërë gjithashtu rekurs edhe ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë për pasuritë që i ishin njohur Kristo Gjokës. Avokatura po ashtu kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit të kësaj gjykate.

Familja Gjoka i sheh qëndrimet e Avokatit të Shtetit si një përpjekje për ta zhveshur atë nga prona, e cila në rast se kthehet nën pronësinë e shtetit i kalon investitorit strategjik, sipas ligjit për këtë të fundit.

E gjithë situata e krijuar duket si simptomë e abuzimit ndër vite me pronat në bregdet, të cilat rezultojnë të pamenaxhuara, pa harta kadastrale dhe me një mori pretendimesh për mbivendosje.

Ndërkohë, ndërhyrja e qeverisë duket se e ka acaruar edhe më shumë situatën, pasi kjo e fundit përmes statusit të investimeve strategjike vendoset në krah të njërës palë në proceset e kontestuara të pronësisë.

“Grupe të strukturuara kriminale”

Ligji i debatueshëm i investimeve strategjike, i miratuar në vitin 2015, është përdorur edhe më herët për bllokimin e njohjeve të pronësisë për banorët e fshatrave të bregdetit në favor të kompanive që kanë marrë të drejta për investime në struktura turistike.

Lista e kompanive që kanë përfituar statusin e investitorëve strategjikë përfshin aktualisht 8 shoqëri. Statusi jepet nga një institucion i quajtur Komiteti i Investimeve Strategjike. Në listën e tokave të dhëna me këtë ligj gjenden parcela në Gjirin e Lalzit, në Dhërmi dhe në Sarandë.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka miratuar gjithashtu një masterplan për zonën e jugut të Shqipërisë si dhe ka në proces miratimin e masterplaneve për zona të tjera bregdetare, ku parcela të mëdha toke janë ndarë më vete të shënjuara si zona për “investime strategjike”.

Investigimet e mëparshme të BIRN kanë zbuluar se ngjashëm me rastin e resortit “Folie Marine”, disa nga këto investime strategjike në bregdetin e Jonit janë ndërtuar gjithashtu në toka të kontestuara.

Në një kallëzim penal ndaj 10 individëve të depozituar me 1 nëntor 2019 – ku përfshihet edhe biznesmeni Alban Xhillari, Kristo Gjoka pretendon se ky i fundit përmes kërcënimit dhe ryshfetit po synonte bllokimin e pronës së tij dhe çregjistrimin e saj nga kadastra e Vlorës.

Gjoka rendit ndër të kallëzuarit e tij edhe kreun aktual të kadastrës së Vlorës, Taulant Canameti dhe Jani Kostën – për të cilin thotë se është i afërm i Alban Xhillarit, si dhe disa persona të tjerë që sipas tij kanë gisht në përpjekjet për të tjetërsuar pronën. Ai pretendon se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal.

“Një biznesmen i quajtur Alban Xhillari, i cili prej vitesh nën kërcënimin e kallashnikovëve ka terrorizuar banorët e fshatit Vuno dhe ka zaptuar të gjithë Jalën…,“ shprehet Gjoka në një letër drejtuar kryeministrit dhe një sërë institucionesh të tjera.

Në një bisedë me BIRN, Gjoka pretendoi se ligjshmëria e pronës së tij nuk ishte në diskutim dhe se për këtë arsye, asnjë nga punonjësit e Kadastrës nuk mori përsipër të regjistronte vendimin e Gjykatës së Lartë.

Gjoka po ashtu akuzon Xhillarin dhe personat e lidhur me të për legalizimin përmes dokumenteve të falsifikuara të godinave të ngritura prej kompanisë Kempixh në zonën e Jalës. Ai i vuri në dispozicion për BIRN një mori dokumentesh dhe vendimesh, përfshirë komunikime të brendshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë, vendime të gjykatave dhe harta që sipas tij tregonin vendndodhjen e pronës që pretendohej nga dy palët. Gjoka tha se do i kërkonte bashkisë Himarë që të prishte godinat, që sipas tij ishin pa leje.

Ai pretendon ndër të tjera se atij po i merret prona ngaqë është pjesë e minoritetit grek. Në kallëzim, Gjoka thotë se leja e ndërtimit nga KKT dhe statusi i “investitorit strategjik” për resortin “Folie Marine” janë përfituar me dokumente të falsifikuara.

Gjoka pretendon në kallëzimin e tij përfshirjen e një sërë personash që ai i cilëson si punëtorë të Xhillarit, përfshirë administratorin e “Soleil&Sea”, Ardit Bajraktari, i cili del përfaqësues i kompanisë edhe në vendimin e marrjes së statusit si investitor strategjik.

Përballë këtij denoncimi, kompania Kempixh e administruar në kohë të ndryshme nga vetë Alban Xhillari dhe më pas nga Jani Kosta, kallëzoi penalisht Kristo Gjokën dhe 6 persona të tjerë. Në denoncimin që BIRN mori nga Xhillari përmes aplikacionit “WhatsApp”, pretendohet se Gjoka dhe personat rreth tij janë gjithashtu një “grup i strukturuar kriminal“.

Në këtë kallëzim akuzohet për shkelje të ligjit Gjykata e Apelit të Vlorës dhe ekspertja që bëri matjet topografike dhe që sipas kallëzimit, mori “vërejtje nga Ministria e Infrastrukturës.”

Kallëzimi i Kempixh po ashtu shprehet se është pala tjetër ajo që ka përdorur forcë, dokumente false dhe ryshfet për ta marrë pronën.

“Një pjesë e konsiderueshme e dokumentacionit që ndodhet në dosje, i marrë si nga Arshiva e Shtetit dhe nga Arshiva Vlorë pas pyetjeve që ne kemi bërë pranë këtyre institucioneve, na është thënë se një pjesë e këtij dokumentacioni është i falsifikuar,” thuhet në kallëzimin e Kempixh.

Në kallëzim veçohet si fakt i dyshimtë një kontratë mes shtetasve Klodjan Jahaj, Klodian Xhyheri, Indrit Kaporaj dhe Spiro Gjoka, të cilët do të merrnin gjysmën e sipërfaqes së përfituar nga Kristo Gjoka në Gjykatën e Apelit. Në kontratën që Xhillari i dërgoi BIRN, këta persona e përfitonin tokën si shpërblim për ndihmën që do jepnin për regjistrimin e saj në Kadastër.

“Është e kuptueshme lehtësisht se kjo sipërfaqe i është dhënë këtyre personave, pasi këta të fundit kanë marrë përsipër dhënien e një vendimi të tillë nga gjykata nëpërmjet veprime korruptive, pasi nuk ka asnjë arsye logjike minimale apo ligjore për hartimin e një veprimi të tillë”, thuhet në kallëzim.

I pyetur nga BIRN për rolin e zotit Bajraktari, Xhillari tha se kjo “nuk ishte e rëndësishme.” Nga ana tjetër, ai pretendoi se investimi i tij ishte ndër më të rëndësishmit në zonë dhe se po rrezikohej nga “ky grup” – duke nënkuptuar Gjokën.

Të dy palët ndërkohë në kallëzimet e tyre dhe në bisedat e bëra me BIRN pretendojnë përfshirjen e paligjshme zyrtarëve më të lartë të shtetit në çështjen e tyre. Ata akuzojnë ministra dhe ish-ministra të qeverisë së Partisë Socialiste dhe drejtues të tjerë të shtetit, si prokurorë, policë dhe gjyqtarë. Akuzat megjithatë nuk mund të provohen në mënyrë të pavarur.

Kompania me statusin e investitorit strategjik, “Soleil & Sea” dhe Bajraktari nuk u arritën dot për koment. Megjithatë, të dhënat e BIRN tregojnë se ajo është e favorizuar në këtë përplasje.

Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike – pjesë e së cilit është kryeministri, zv.kryeministri dhe disa ministra, në rast se ka palë të treta që kanë pretendime mbi pronën, kompania do ketë mbështetje nga qeveria.

“Në rast se pas kryerjes së regjistrimit fillestar të zonës së zhvillimit, rezultojnë tituj pronësie të palëve të treta private, atëherë investimi/investitori strategjik përfiton mbështetje,” thuhet në vendim.

I njëjti vendim nënvizon se investitori duhet të synojë një marrëveshje me pronarët e tokës, por “në rast se investitorit strategjik i cënohet prona që disponon nga palë të treta, investitori, sipas rastit, përfiton të drejtën e shpronësimit ose të marrjes me qira me kontratën 1 euro”.

Kristo Gjoka ka sulmuar pikërisht këtë vendim në një letër dërguar kryeministrit Rama, ambasadave, prokurorisë dhe disa ministrave. Ai kërkon heqjen e statusit të investitorit strategjik për “Soleil & Sea”, duke akuzuar kompaninë se ka përdorur dokumente të falsifikuara.

Kaos në kadastër

Më 23 prill 2019, Gjykata e Lartë vendosi pezullimin e ekzekutimit të vendimit për pronësinë e tokës në Jalë mbi një pjesë të së cilës ndodhet edhe “Folie Marine”. Vendimi u mor nga tre gjyqtarët e fundit të mbetur asokohe në Gjykatë të Lartë, Xhezair Zaganjori, Edmond Islamaj dhe Ardian Dvorani.

BIRN mësoi se tetë muaj më vonë, ky vendim i Gjykatës së Lartë nuk është ekzekutuar ende, ndërkohë që ka shkaktuar kaos ne zyrën e kadastrës së Vlorës. Fillimisht, vendimi i Gjykatës së Lartë u refuzua nga ish-drejtori i kadastrës së Vlorës – në atë periudhë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, Klodian Troci.

Në një relacion për Departamentin e Anti-Korrupsionit në Këshillin e Ministrave me 2 maj 2019, Troci shprehet se kërkesa e Avokatit të Shtetit dhe pretendimet për mbivendosje pronash në zonën e Jalës nuk mund të trajtoheshin.

Troci, i cili akuzohet nga kompania Kempixh se kishte ekzekutuar me urgjencë vendimin e Gjykatës së Apelit, shprehet ndër të tjera se zona e Jalës ishte ”zonë e pamenaxhuar“, për të cilën nuk disponoheshin harta kadastrale të pasurive dhe nuk mund të konstatohej mbivendosja.

Pak javë pas firmosjes së kësaj përgjigje, më 15 maj, Troci u spostua në vendin e zv.drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërsa drejtues i ASHK-së së sapokrijuar u caktua Florian Alimadhi, i cili më herët kishte qenë regjistrues në Durrës.

Megjithëse nga maji deri në shtator 2019 kishte marrë të paktën një urdhër me shkrim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Alimadhi dhe punonjësit e ASHK-së në Vlorë përsëri refuzuan të regjistronin vendimin e Gjykatës së Lartë.

Më 6 shtator ASHK kreu një akt-kontrolli dhe i konsideroi jo-ligjore arsyet e dhëna deri në atë moment nga drejtuesit e degës lokale të Vlorës, duke kërkuar sërish regjistrimin e vendimit të Gjykatës së Lartë si dhe “miratimin e urdhrit për ndalimin e veprimeve me pasuritë”.

Prej këtij momenti, disa drejtues të Kadastrës në Vlorë dhanë dorëheqjen njëri pas tjetrit. Dy ditë pas këtij urdhri, më 8 shtator 2019, drejtori i ASHK-së, Florian Alimadhi dhe nëndrejtori Klodian Troci dhanë dorëheqjen, ndërsa në krye të institucionit u komandua juristi Alteo Nazëraj.

Më 13 shtator, Nazëraj delegoi te një nga juristët e kadastrës veprimet e kërkuara nga ASHK, por juristi ashtu siç edhe kishin bërë më herët, refuzoi të kryente veprimet. Më 19 shtator Nazëraj dha dorëheqjen nga kadastra e Vlorës, duke qëndruar në krye të institucionit vetëm 10 ditë.

Nazëraj u zëvendësua nga Elona Hodaj (Kurti), ndërsa u komandua si zv.drejtor Taulant Canameti, i cili është transferuar nga Tirana. Më 27 shtator, Hodaj i delegon Canametit kompetencat mbi shërbimet në sektorin e sportelit dhe kadastrës.

Më 30 shtator, Canameti nxjerr një urdhër të brendshëm me të cilin duhej të regjistronte vendimin e Gjykatës së Lartë. Por drejtoresha Hodaj e shfuqizoi këtë vendim vetëm 24 orë pasi ai ishte firmosur, duke arsyetuar se Canameti nuk ishte i autorizuar për të lëshuar urdhra dhe as të marrë vendime. Hodaj urdhëroi anulimin e urdhërit dhe fshirjen e shënimeve të bëra në regjistrin hipotekor. Pak ditë pasi firmosi këtë anulim, më 6 tetor 2019, Hodaj dha dorëheqjen, ndërsa Canameti mori postin e saj.

Përpos largimit të 4 drejtuesve në pak muaj, një sërë punonjës të kadastrës në Vlorë u shkarkuan dhe ndaj të tjerëve u morën masa disiplinore. Duke kërkuar të mbeteshin anonimë, juristë të ASHK-së në Vlorë i thanë BIRN se ndjeheshin të kërcënuar, sepse bëhej fjalë për një pronë me vlerë miliona euro.

Megjithatë, BIRN mësoi se para policisë, asnjë nga zyrtarët nuk ka pranuar se është kërcënuar ashtu siç pretendojnë palët në kallëzimet e tyre.

BIRN arriti të kontaktonte vetëm me një prej ish-drejtuesve të kadastrës që u përfshi në këtë histori, Elona Hodaj, e cila u shpreh se nuk e njihte mirë dosjen pasi qëndroi në detyrë vetëm 19 ditë.

“Gjatë kohës së drejtimit të ASHK, kisha prioritet popullin, t’i dëgjoja, t’i prisja, t’i zgjidhja [problemet]“, tha ajo.

Hodaj mohoi të ishte kërcënuar. Ajo pretendoi se e kishte anuluar urdhrin e vartësit të saj, Taulant Canameti për të regjistruar vendimin e Gjykatës së Lartë vetëm për arsye të procedurës.

“Ndërsa dorëheqja nga institucioni lidhet vetëm me motivet familjare sikurse kam cituar edhe në kërkesën për dorëheqje”, tha Hodaj.

Drejtori aktual i ASHK-së në Vlorë, Taulant Canameti, i cili zuri vendin e Hodajt, nuk pranoi të fliste mbi detajet e dosjes. Canameti, i cili akuzohet nga Kristo Gjoka si pjesë e grupit të Xhillarit, shoqërohet prej kohësh në punë prej punonjësve të Gardës që qëndrojnë jashtë zyrave të kadastrës në mbrojtje të tij.

“Do të zbardhet shumë shpejt e gjithë e vërteta e kësaj çështjeje,” tha Canameti. “E rëndësishme për qytetarët është që institucioni është në punë dhe nuk kanë asnjë arsye të frikësohen apo shqetësohen,” përfundoi ai.