Sport Futbolli kalon NBA-në: Barcelona, Reali dhe Juve japin pagat më të larta

Futbolli kalon NBA-në: Barcelona, Reali dhe Juve japin pagat më të larta

Barcelona, Real Madridi dhe Juventusi janë klubet që paguajnë më shumë se çdo skuadër e NBA-së, ato ofrojnë pagat më të larta për sportistët e tyre. Siti i specializuar “Sporting Intelligence” ka bërë të ditura pagat mesatare të klubeve të mëdha europiane dhe ato të skuadrave të basketbollit në Amerikë.

Paga mesatare e një futbollisti të Barcelonës, që kryeson këtë renditje të veçantë, është 11.54 milionë euro. Në vend të dytë është klubi i Real Madridit, me një pagë mesatare 10.4 milionë euro për futbollist. Podin e mbyll klubi i Juventusit, me një pagë mesatare prej 9.47 milionë eurosh. Dhe të mendosh që sezonin e kaluar Juventusi ishte në vend të 9-të të këtij klasifikimi.

Menjëherë pas tre klubeve europiane të përmendura më sipër, janë shtatë skuadra të basketbollit amerikan. Portland, që mban vendin e katërt, ka një pagë mesatare prej 9.38 milionë eurosh për çdo basketbollist, më pas vjen Golden Stejt me 9.27 milionë, Orlando Mexhik me 8.85 milionë, Oklahoma Siti me 8.81 milionë, Denver me 8.70 milionë, Majemi Hit me 8.69 milionë dhe Kleveland Kavaliers me 8.64 milionë.

Futbolli rishfaqet në vend të 12-të, me PSG-në që paguan 8.37 milionë euro për çdo lojtar, Mançester Siti është i 13-i me 8.18 milionë euro mesatarisht. Dhe në rrogën mesatare nuk janë llogaritur bonuset në kontratës, shpërblimet e ndryshme dhe të ardhurat nga reklamat. Është e qartë që futbolli është në rritje të vazhdueshme dhe e ka “përzënë” NBA-në nga vendet e para. Kujtojmë që në vitin 2017 podi përbëhej nga tri skuadra basketbolli, Oklahoma Siti, Kleveland dhe Golden Stejt. Gjithsesi, liga amerikane e basketbollit mbetet ajo që jep pagat më të mira.