Sport Ronaldo: Golin më të bukur e kam shënuar kundër Juves. Çfarë më...

Ronaldo: Golin më të bukur e kam shënuar kundër Juves. Çfarë më tha Buffon

Cristiano Ronaldo flet nga pak për gjithçka në intervistën e dhënë për DAZN. Pjesë nga prononcimi i tij i gjatë për “Diletta Line” janë bërë publike tashmë, në të cilat portugezi ka treguar, për shembull, cila është origjina e festimit të tij të famshëm të golave “siuu”. Duke u kthyer pas, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ka thirrur në ndihmë kujtesën për golin e tij më të mirë të karrierës.

Interesant është fakti se këtë gol e ka shënuar në stadiumin “Allianz”, kundër Juventusit, më 3 prill 2018, kur ishte akoma lojtar i Real Madridit.

Fjala është për roveshiatën e famshme në ajër, në Champions, që bëri menjëherë xhiron e botës:  “Goli im më i bukur? Ai kundër Buffon, një gol shumë i veçantë, në një stadium të bukur dhe kundër një skuadre të shkëlqyer. Publiku më duartrokiti, ishte një natë shumë e veçantë. Çfarë më tha Buffon? Gjithmonë mendoja se do ta gjeja veten para një personi të mirë, kjo gjë m’u konfirmua kur fola me të. Një njeri i bukur, i gëzuar. Pas golit, thjesht më uroi, ishte i lezetshëm. E kujtoj shumë mirë, e kam pasur gjithmonë një perceptim për të si një njeri i mirë, gjë të cilën munda ta shihja me sytë e mi, pasi u bëmë bashkë te Juventusi”.