Bota Paralajmërimi i Putin nuk e frenon Erdogan, Turqia do të dërgojë trupa...

Paralajmërimi i Putin nuk e frenon Erdogan, Turqia do të dërgojë trupa ushtarake në Libi

Paralajmërimi i Rusisë nuk e ka frenuar presidentin turk, Rexhep Tayp Erdogan të dërgojë trupat ushtarake në Libi. Ai ka bërë të ditur se trupat do të vendosën në vendin e Afrikës Veriore që nga muaji janar, me kërkesë të Tripolit, një hap që mund ta përballë Turqinë me mercenarët e lidhur me Kremlinin, që supozohet se luftojnë.

Një zyrtar i Tripolit ka konfirmuar kërkesën zyrtare që i është bërë Ankarasë për mbështetjen e forcave ushtarake, tokësore, ajrore dhe detare të Turqisë.

Qeveria e Libisë e njohur nga Kombet e Bashkuara është duke u sfiduar në kontrollimin e vendit nga Gjenerali Khalifa Haftar, i cili raportohet se mbështetet nga Rusia, Kina, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordania.

Qeveria e Libisë është krijuar më 2016 në kuadër të një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, meqë në Libi ishte krijuar kaos, pas largimit nga pushteti të diktatorit, Muammar Gadafi më 2011.

Në këto kushte, Moska ka paralajmëruar Turqinë kundër pozicionimit të trupave në Libi.

Mirëpo Erdogan ka kundërshtuar kritikat ruse dhe ka thënë se Turqia nuk do të qëndrojë e heshtur ndaj mercenarëve që mbështesin Haftarin, të cilët i takojnë kompanisë private të sigurimeve, Vagner, të lidhur me Kremlinin.

Moska nuk ka konfirmuar prezencën e grupit Vagner në Libi dhe as nëse mbështet këta luftëtarë.

Diplomatët kanë thënë se luftëtarët e Haftarit nuk kanë arritur në Tripoli, mirëpo gradualisht kanë avancuar në zonat jugore me ndihmën e forcave ruse dhe atyre sudaneze.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë ka thënë që presidenti amerikan, Donald Trump ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi, të cilët kanë “kundërshtuar “shfrytëzimin e forcave të huaja”, pa përmendur në mënyrë specifike Libinë.