Nga Afrim Krasniqi
Viti 2019 u mbyll me një bilanc eksperimental të shumëfishtë, – në parlamenti (ikja e opozitës), në zgjedhje (me një kandidat), në drejtësi (pa institucionet kryesore), në institucione (me inicim të shkarkimit të Presidentit), në politikën e jashtme (krizë me Kosovën e paqe me Serbinë), me integrimin (pa progres nga brenda dhe 7 kushte nga jashtë), me partnerët ndërkombëtarë (sulm në emër të sovranitetit), me median (ligj kufizimi për lirinë e shprehjes), me ekonominë (ligji mbi investimet strategjike dhe oligarkët e koncesioneve), me tërmetin (varësi e plotë nga ndihma e jashtme) me post tërmetin (opozita ne rolin e zyrës së emergjencave civile dhe mazhoranca në rolin e PR dhe administratorit të hoteleve), etj. Çfarë mbetet për 2020? Cilat janë prioritetet dhe pritshmëritë?
2020 është viti i 30-të i tranzicionit dhe viti i 100-të i parlamentarizmit në Shqipëri. Asnjë vend tjetër evropian nuk e ka nisur 30 vjetorin e tranzicionit me një krizë kaq komplekse e të thellë politike, siç asnjë vend tjetër nuk mbush 100 vjet shtet legjitim me një shtet kaq të brishtë dhe të personalizuar.
Nevoja më emergjente mbetet prania e shtetit dhe e institucioneve. Parlamenti mbetet legjitim por jo përfaqësues dhe as funksional, qeveria nuk ka vizion drejtimi dhe vetëm sa menaxhon varfërinë, administrata mbetet anemike dhe politike, koncepti i institucioneve të pavarura nuk është prioritare në kohën kur nuk kemi ende as institucione formale, opozita është jashtë funksionit të saj demokratik dhe qytetarët e shoqëria ndjehen të flustruar, të braktisur dhe të zhgënjyer.
Megjithatë, muajt e parë të vitit 2020 pritet të sjellin plotësimin e vendit të pestë në Gjykatën Kushtetuese, zgjedhje të ILD dhe nisjen e punës për GJL, BKH dhe sidomos për dosjet hetimore të SPAK. Në mars mbledhja e ministrave të jashtëm të BE do të vlerësojë progresin mbi 7 kushtet e Shqipërisë dhe në maj në Zagreb Gjermania e BE do të testojë lotimin e tyre ndaj Francës për zgjerimin e BE drejt Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë.
Nga janari 2020 Shqipëria merr drejtimin e OSBE, – vendi i parë në historinë e organizatës që është vetë në krizë dhe merr drejtimin politik të krizave, – një drejtim formal dhe pa impakt në prestigjin apo rolin e Shqipërisë.
Në aspektin e brendshëm gjatë muajve të ardhshëm pritet të ketë konsensus politik për ndryshime minore në reformën zgjedhore, opozita pritet të rikthehet në protesta dhe në kërkesën për qeveri teknike (modeli maqedonas), mazhoranca të votojë shkarkimin e Presidentit dhe ky i fundit të zbresë edhe më shumë në luftën politike sesa fundvitin 2019, qeveria pritet të thellojë nismat ligjore vertikale (KÇK) dhe kështu, pranvera e vitit 2020 nuk pritet të sjellë asgjë të mirë për vendin me standardin ekonomik më të ulët në vendet kandidate ose anëtare në BE.
Prej kohësh qeveria nuk arrin të qeveris vendon, mazhoranca ka mungesa të theksuara në aftësinë për të menaxhuar sistemin, nuk ka burime njerëzore dhe as energji, lista e skandaleve korruptive do të rritet dhe nevoja për para mund të sjellë një konflikt të ri midis qeverisë dhe oligarkëve të saj, shenjat e para të të cilit dolën në pah pas tërmetit të nëntorit 2019.
Pa qeverisje efektive dhe parlament efektiv, pa institucione të besueshme e funksionale vendimmarrëse, sistemi vertikal i drejtimit, i preferuar i kryeministrit, mund të jetë efektiv në momente të veçuara por në tërësi, mund të jetë investimi më i mirë në dobi të opozitës. Kjo e fundit, e paaftë të reformohet dhe të ndryshojë, është në pritje të dështimit të kryeministrit për të fituar hapësirat e lëna bosh, llogari “e keqja më e vogël” që në Shqipëri ka funksionuar më 1997, 2005 dhe 2013, por që koha tregoi se në asnjë rast nuk ishte zgjidhja “më e mirë” për Shqipërinë.
Shqipëria është pjesë e një procesi gjeopolitik dhe zhvillimet brenda saj reflektohen e ndikohen nga zhvillimet rreth saj.
Pasojat e tërmetit do të sjellin rënie ekonomike, rritje të hendekut midis shumicës gjithnjë e më të varfër dhe pakicës gjithnjë e më të pasur, valë të reja emigrimi, por edhe varësi më të madhe të vendit nga mbështetja ndërkombëtare.
Në Kosova kriza mund të zgjasë disa muaj, në prill-maj Maqedonia e Serbia janë në zgjedhje të reja, dhe trendi i zgjedhjeve të reja parlamentare mund e duhet të përfshijë edhe Shqipërinë.
Nëse reforma miratohet në mars dhe SPAK nis proceset e hetimit të skandaleve VIP në pranverë atëherë shanset për zgjedhje të reja në vjeshtën e vitit 2020 janë maksimale. Edhe nëse nuk ka reformë dhe as marrëveshje, shanset për një zgjidhje të re politike mbeten gjithashtu maksimale.
Skenari më i keq është zgjatja e krizës politike me ritmin dhe mjetet e 2019 ose një proces tjetër zgjedhor pa zgjidhje (të njëjtit aktorë, të njëjtat raporte, të njëjtat bojkote dhe retorika), skenar që është në interes të mazhorancës, e cila jo vetëm nuk funksionon më si ekip ose forcë ndryshimi, por edhe me 25% të totalit të votuesve zotëron 85% të parlamentit dhe 95% të qeverisë vendore në Shqipëri. Ky skenar do të çonte në konfrontime të reja politike, valë të reja emigrimi, konflikte të reja sociale, skandale të reja dhe me humbje të besimit tek demokracia dhe forca e saj ndryshuese.
Skenari më optimist është kalimi në zgjedhje të reja, hapja e sistemit konkurrues dhe në fund pamundësia e asnjërës prej partive të mëdha për qeverisje të vetme, duke detyruar kalimin në një qeveri koalicioni, e cila sipas praktikës së disa vendeve të tjera, përjashton individët nën hetime nga SPAK dhe burime konfliktuale, përfshirë kryetarët e partive kryesore politike.
Një skenar i tillë optimist do të mund të sillte ndryshime cilësore në politikë dhe do të mund të ndihmonte në ndryshimin e elitave politike, në mbylljen e karrierës politike për figurat kryesore të tranzicionit, ku bëjnë pjesë të gjithë kryetarët e partive kryesore dhe drejtuesit e institucioneve kryesore aktuale (qeveri, parlament, presidencë, opozitë) dhe në kalimin nga “njeriu besnik i partisë” tek “njeriu ekspert besnik ndaj shtetit”.
Kundër një skenari të tillë në çdo rast do të ketë pengesa, bisedime e marrëveshje të fshehta midis liderëve kryesorë për të penguar SPAK dhe reformimin e sistemit, por një formë e tillë skenari e zgjidhjeje mbeten varianti i vetëm për të sjellë një ndryshim në sistemin politik në vend, ndryshim i premtuar vazhdimisht përgjatë viteve të fundit nga partnerët kryesorë perëndimore, BE dhe SHBA.
2020 nuk pritet të jetë vit suksesi politik dhe as më pak ekonomik. Qytetarët duhet ta dinë se ditët më të vështira ende nuk ka ardhur.
Modeli i mazhorancave me dy mandate rezultoi përsëri i dështuar, oferta e opozitës jo institucionale gjithashtu rezultoi përsëri i dështuar, sistemi i mbështetjes tek oligarkët dhe i drejtimit përmes medias në aspektin afatgjatë rezultoi përsëri i dështuar, pasojat e tërmetit janë shumë më të mëdha sesa njihen dhe se burimi kryesor ekonomik, – turizmi dhe investimet strategjike, mund të jenë viktimat më të mëdha të vitit 2020.
Në këto rrethana, forca e një shoqërie dhe përgjegjësia e njerëzve të lexuar nuk është pranimi i faktit dhe bashkëjetesa me fatin e parashkruar, por kurajo për reagim, për zë, për të paralajmëruar e për tu dëgjuar, për të kërkuar më shumë llogaridhënie dhe transparencë, më shumë përgjegjësi dhe mjete demokratike për ndryshim. Teza se zgjidhja nuk është qeveria, qeveria mbetet problemi, – vlen shumë në këtë rast.
Ndaj zgjidhja nuk varet nga qeveritë apo opozitat, por nga forca e shoqërisë dhe kultura qytetare, nga elitat e formuara dhe me angazhim civil, nga mendjet dhe jo nga forca, nga shtresa e mesme dhe ata që kanë vendosur që Shqipëria të jetë edhe vendi i fëmijëve të tyre, – kategori, të cilat aktualisht në Shqipëri janë pakicë, por siç treguan studentët e një viti më parë, lehtësisht mund t’i bëjë shumicë fjala, integriteti dhe respekti për të vërtetat.