Ai tashmë është një nga futbollistët më të mirë, por ndryshe nga sa vepron shumica e futbollistëve Cristiano Ronaldo nuk do të bëhet trajner kur të dalë në pension. Përkundrazi ai i ka drejtuar sytë te industria filmit.
Ylli i Juventusit ka pranuar se do të donte të provonte dorën e tij në aktrim kur përfundimisht të varë këpucët në gozhdë. Siç shkruan Daily Mail, ai ka pranuar gjithashtu se do të dëshironte shumë të niste studimet, pasi ndjen se ka mangësi në këtë drejtim.
Duke folur në Konferencën e Sporteve në Dubai, Ronaldo tha: “Kur të largohem nga futbolli, do të doja të rifilloja studimet. Unë përqendrohem shumë në studime, në mësim, sepse për fat të keq studimet që kam bërë nuk mund të më japin përgjigje për të gjitha pyetjet që kam në mendje. Një gjë që më magjeps është të dëshiroj të provoj të aktroj në një film.”
Ndër temat e shumta të trajtuara nga Cristiano Ronaldo, më i thelluari ishte ai që lidhej me trajnimin dhe këmbënguljen e tij:
“Ruajtja e nivelit tim të suksesit gjatë 15 viteve të fundit ka të bëjë kryesisht me këmbënguljen për të qenë më i miri. Sidoqoftë, nuk dua që fjalët e mia të shihen si narcizëm. Objektivat në jetë kanë të bëjnë me angazhimin dhe ekuilibrin. Historia ime është e bazuar në qëllimet që kam në mendje dhe përdorimin e mjeteve fizike për t’i realizuar ato. Të gjithë e dinë mënyrën time të të jetuarit. Rreth 30% e jetës sime i kushtohet vetëm futbollit. Theksoj rëndësinë e ekuilibrit, pasi veç stërvitjes duhet edhe kohë për të pushuar. Ndonjëherë jemi në humor të mirë, që të bëjmë më shumë, por ekuilibri është formula magjike”.