Sport Kërkon të blejë Granit Xhakën, historia unike e presidentit të Hertha Berlinit

Kërkon të blejë Granit Xhakën, historia unike e presidentit të Hertha Berlinit

Lars Windhorst (43-vjeç), pronari i ri i Hertha Berlinit, është një figurë kontraverse. Sipërmarrësi i ka mbijetuar një aksidenti me aeroplan, dhe gjithashtu është dënuar me një vit burg.

Hertha Berlini ka plane afat-gjate në elitën e futbollit gjerman. Flitet edhe për të luajtur në Ligën e Kampionëve. Këto janë planet në Berlin. Kjo është arsyeja pse ai kërkon të transferojë Granit Xhakën nga Arsenali, Mario Gotzen nga Dortmundi dhe Julian Draxler nga Paris Saint-Germain. Jurgen Klinsmann është caktuar si trajner. Emra me peshë.

Po si do funksionojë ky plan?

Pas qëndron një investitor i ri. Lars Windhorst është një sipërmarrës 43-vjeçar. Me kompaninë e tij ‘Tennor Holding’, ai bleu 37.5 përqind të aksioneve të Hertha Berlinit për 125 milionë euro. 100 milionë euro të tjera do të investohen së shpejti. Më vonë, pritet që Windhorst të zotërojë 49.9 përqind të aksioneve. “Ne nuk kemi imponuar asnjë kufizim për këtë. Nëse është e nevojshme, ne mund ta shqyrtojmë mundësinë që të sigurojmë fonde shtesë “, tha Windhorst për ‘Bild am Sontag’.

Ai zotëron një pasuri familjare me vlerë rreth 800 milion euro. Dëshira për biznes i ka nisur në moshën 8 vjeç. Në atë kohë, ai e shndërroi garazhin e familjes në një laborator kompjuterash. Së bashku me shokët e klasës, ai ndërtoi kompjuterat e tij, krijon software – dhe i shiste në dyqanin e babait të tij.

Para se të mbaronte shkollën e mesme, Windhorst themeloi kompaninë e tij të parë. Vetëm një vit pasi u themelua ndërmarrja, kompania numëronte 80 të punësuar dhe shitje prej 45 milion CHF.

Incidenti dhe falimentimi

Sidoqoftë, në vitin 2004, Windhorst kaloi nëpër një periudhë të vështirë, ku duhet të paraqiste falimentin e tri kompanive të tij: ‘Windhorst AG’, ‘Windhorst Electronics GmbH’ dhe ‘Windhorst Capital Holding GmbH’. Në vitin 2010, menaxheri i atëhershëm, 33 vjeçar, u dënua me një vit burg me kusht dhe me një gjobë prej 108 mijë eurosh.

Por, sipërmarrësi i zgjuar, Lars Windhorst, ka ditur të qëndrojë në këmbë. Në të njëjtin vit, u bë bashkëthemelues i grupit të investimeve ‘Sapinda’ dhe drejtor i filialit ‘Vatas Holding GmbH’, i përfshirë në ‘Air Berlin’. Tronditja e madhe ndodhi tri vite më vonë. Windhorst u plagos në një aksident ajror. Në Kazakistan, aeroplani doli nga pista pas një ndalese të shkurtër për tu furnizuar, u përplas në mur dhe shpërtheu. Njëri prej pilotëve ndërroi jetë. Windhorst ishte me fat, duke pësuar vetëm djegie në fytyrë dhe gjoks.

Windhorst tani është sërish në rrugën drejt suksesit. Ndërmarrja e tij ‘Sapinda’ është ri-emëruar në ‘Tennor’ dhe po vazhdon me investime, ndër të tjerash, në markën e veshjeve të brendshme ‘La Perla’, në kompaninë e ndërtimit të anijeve ‘Flensburg’ dhe prej disa muajsh edhe në klubin gjerman, Hertha Berlin.