Sport Yjet e katër kombëtareve zbresin më 10 janar në “Air Albania”

Yjet e katër kombëtareve zbresin më 10 janar në “Air Albania”

Me datë 10 janar, yjet historikë të kombëtareve të Shqipërisë, Italisë, Greqisë dhe Turqisë do të zbresin në fushën e stadiumit “Air Albania”.

Lajmin e ka konfirmuar Federata Shqiptare e futbollit, e cila thotë se të gjitha të ardhurat e biletave të ndeshjes do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Pjesë e ndeshjes priten të jenë edhe emrat e njohur të kombëtareve si Zambota e Perrota që janë shpallur kampionë bote në 2006, Hasan Şaş i cili ishte një nga liderat e Turqisë në Botërorin e vitit 2002 ku u renditën në vendin e tretë si dhe fqinjët grekë të cilin fituan Kampionatin Europian në vitin 2004 nën dirigjimin e Karagunis.

FSHF thotë se kjo ndeshje synon krijimin e një tradite të tillë në futbollin shqiptar për të afruar sportadëshit me emrat e mëdhenj të futbollit tonë dhe atij ndërkombëtar.

“Federata e Futbollit dhe Sindikata e Futbollistëve, fton të gjithë sportdashësit në këtë festival të paharrueshëm, ku do të performojnë në fushën e blertë emra të dashur, historikë dhe kampionë të futbollit, pa harruar edhe performancën artistike të emrave të mëdhenj të muzikës shqiptare. Le të bashkohemi në këtë turne për të dhënë sadopak ndihmesë për të prekurit. Ky projekt i përgjegjësisë sociale, vjen në vazhdën e aktiviteteve të pandërprera të Federatës së Futbollit, të stafit dhe djemve e vajzave të kombëtareve shqiptare për të ndihmuar dhe lehtësuar familjet e prekura nga tërmeti. Fokusi parësor ka qenë te fëmijët”, thuhet në deklaratën e FSHF.

Ndërkohë Federata është zotuar të ndërtojë të paktën tre shtëpi të rrënuara nga tërmeti.