Politika Kryemadhi: Dekada e ndryshimit, shqiptarët të marrin në dorë fatin e tyre

Kryemadhi: Dekada e ndryshimit, shqiptarët të marrin në dorë fatin e tyre

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, gjatë fjalës së saj në Konventën kësaj partie për Tiranën, deklaroi se kjo do të jetë “dekada e shpresës, dekada e fitores mbi të keqen, dekada kundër varfërisë, dekada e rifitimit dhe konsolidimit të lirive, dekada e një Shqipërie pjesë të Europës së Bashkuar”.

“Startimi në këtë dekadë të re është një mision i madh dhe i pakthyeshëm. Është një mision që nuk e ndal dot asnjë autokrat, burokrat i korruptuar, oligark, kriminel, trafikant a kushdo qoftë, pasi përballë nuk ka as një, as dy, as pesë e as dhjetë, por shumicën absolute të shqiptarëve, që janë ngritur në këmbë për të rifituar Shqipërinë që po përpiqen t’ua grabisin. Viti 2020 është fillimi i një dekade ku Shqipëria, familja, kombi shqiptar janë dhe do të jenë të parët! Asnjë dorë e zezë nuk mund të shtrihet mbi to pasi të gjithë shqiptarët së bashku do ta refuzojnë me forcën e rezistencës dhe shpirtit të tyre”, theksoi Kryemadhi.

Kreu i LSI-së shtoi se “kjo dekadë do të flakë tej Rilindjen e shëmtisë politike dhe morale, Rilindjen e shpërbërësve të familjes, Rilindjen e tradhëtarëve të Kombit dhe do të ngrejë lart atdhetarët e vërtetë, të rinjtë e talentuar, burrat dhe gratë që mbajnë mbi shpatulla ekonominë e vendit dhe të familjeve të tyre”.