Sport Eriksen tek Interi? Në Danimarkë janë të sigurtë

Eriksen tek Interi? Në Danimarkë janë të sigurtë

Antonio Conte kërkon medoemos përforcime në mesfushë. Sipas mediave sportive italiane, porosia kryesore që ai u ka dhënë drejtuesve të Interit është mesfushori Arturo Vidal, të cilin e njeh mirë pasi e ka stërvitur më parë tek Juventusi.

Edhe vetë Vidal, që në Camp Nou ka ngrohur më shumë stolin sesa është aktivizuar, u ka shkelur syrin “zikaltërve” dhe nuk ka mohuar një rikthim në Serinë A. Por, pengesa është Barcelona, që nuk kërkon ta shesë.

Megjithatë, për të mos lënë duarbosh Antonio Conten, drejtuesit e Interit duket se kanë arritur marrëveshjen me Christian Eriksen të Totenhemit. Kjo është ajo që raportojnë mediat daneze. “Ekstra Bladet” thotë se Totenhemi e ka bekuar marrëveshjen, duke u përpjekur që të arkëtojë 20 deri në 25 milionë euro tani, për të shmangur rrezikun që lojtari të largohet me parametra zero në qershor, kur i përfundon kontrata.

E njëjta media thotë se Eriksen pritet që në ditët në vazhdim të kryejë vizitat mjekësore në Milano dhe më pas t’i bashkohet grupit.