U janë dashur disa ditë dhe disa përplasje mediatike për të caktuar takimin e tyre të parë. Hashim Thaçi dhe Albin Kurti edhe pse armiq të hershëm, ia dolën të merren vesh që të lënë 6 janarin si një datë kur do të shiheshin në Zyrën e Presidentit. Mbase për ta realizuar takimin më të shkurtër në karrierat e tyre.
Por, kur Kurti shkoi në zyrën e Thaccit gjithçka shkoi shpejt. Presidenti i vendit dhe pretendenti për krijimin e Qeverisë së re, lideri i Vetëvendosjes qëndruan së bashku vetëm 4 minuta.
Kur ka dalë para gazetarëve, Kurti tha se takim i shkurtër nuk ka prodhur asnjë efekt juridik.
“Sot isha në takim me presidentin e Republikës, ky ishte një takim i shkurtër konsultativ pa efekte juridike, lidhur me fazën e ardhshme konstituive të institucioneve që sot i kanë mbushur tre muaj. Unë dëgjova presidentin në këtë takim disaminutësh, unë dëgjova presidentin që shprehu interesimin për krijimin e qeverisë, por, njëkohësisht edhe tha që e di që ju nevojitet një kohë e caktuar, por, gjithashtu ne do ta bëjmë propozimin”, tha Kurti.
E që nuk ka filluar numërimi i 15 ditëshit që mandatari e ka në dispozicion pasi të nominohet e ka pranuar edhe Hashim Thaçi.
Por, Presidenti ka bërë me dije se i ka vendosur Kurtit një afat 48 orëshe që t’i çojë propozimin për Qeverinë e re.
“Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, tha Thaçi.