Aktualitet Vajza shqiptare që fshehu kokainën në pellush dhe 29-vjeçari që u shtir...

Vajza shqiptare që fshehu kokainën në pellush dhe 29-vjeçari që u shtir sikur s’dinte italisht

Vajza shqiptare kishte fshehur kokainën në pellush

Përgjatë ditëve të fundit, policia italiane ka arrestuar disa shqiptarë për shpërndarje droge, por spikasin 6 raste që janë të lidhura drejtpërdrejt me shitjen e kokainës për festat e Krishtlindjeve dhe Vitin e Ri.

Referuar mediave italiane, mësohet se më 31 dhjetor 2019, në Fano, u arrestua 29-vjeçarja shqiptare M. Suli dhe shoqja e saj e dhomës, një kubane 27-vjeçare, të cilat kishin fshehur disa gramë kokainë në një tapir të bardhë prej pellushi, bashkë me 2 mijë euro kesh dhe një peshore me precizion të lartë. Për Krishtlindje karabinierët kishin parë të hynin e të dilnin në banesën e tyre shumë shtetas, ku pjesa më e madhe e tyre ishin përdorues droge.

Operacioni tjetër është zhvilluar në 5 janar 2020, në Gallarate, ku u arrestua një shqiptar 29 vjeç, të cilit iu sekuestruan 600 gramë kokainë dhe 7 mijë euro kesh. Ai ishte në bordin e një makine të regjistruar tek një qytetar italian dhe kur agjentët e policisë e pyetën se ku e kishte shtëpinë, ai menjëherë filloi të shtirej sikur nuk e kuptonte gjuhën italiane. Më tej, gjatë kontrollit të banesës, u sekuestrua sasia e drogës në kuzhinë dhe dhomën e gjumit, ndërsa policia gjeti edhe një peshore elektronike.

Ndërkaq, më 3 janar 2020, në Romë, gjatë një aksioni ku u kapën disa shtetas, u arrestua edhe një shqiptar 37-vjeçar, pasi iu gjet një sasi kokaine dhe 3450 euro kesh, të fitura nga shitja e drogës.

Sakaq, më 27 dhjetor 2019, u arrestua në Chieti 47-vjeçari me inicialet P.B., me vendbanim në Montesilvano, pasi iu gjetën 1.5 kg kokainë me cilësi të lartë, e cila etiketohet nga mediat italiane si “kokaina e Krishtlindjes” dhe 2 120 euro kesh.

Më 24 dhjetor 2019, u arrestua në Bolzano 30-vjeçari me inicilet A.K, i cili ecte me shpejtësi në autostradë. Gjatë kontrollit në makinë, iu gjetën 500 gramë heroinë dhe 270 gramë kokainë, drogë që do ta shiste për Krishtlindje.

Rasti i fundit është regjistruar më 27 dhjetor 2019 në Pesaro, ku u arrestua një shqiptar 20 vjeç, të cilit iu sekuestruan 100 gramë kokainë dhe 7 mijë euro kesh. Sipas policisë, ai ishte pjesë e një rrjeti kriminal që shiste drogë për Krishtlindje dhe festën e ndërrimit të viteve.