Një ditë pas rrëzimit në Iran të aeroplanit ukrainas me 176 pasagjerë në bord, zbulohen detaje të tjera.
BBC raporton se aeroplani Boeing po përpiqej të kthehej sërish në aeroport para se të përplasej në tokë.
Avioni kishte vetëm pak minuta që ishte ngritur në fluturim nga aeroporti i Teheranit, por pas problemeve teknike, pilotët tentuan ta ulnin përsëri në pistë.
Një hetim paraprak ka zbuluar se në një prej pjesëve të aeroplanit ishte përfshirë nga flakët e zjarrit, teksa po ngrihej në fluturim. Shkaqet e sakta të aksidentit ajror pritet të zbulohen pas analizimit të kutisë së zezë. Por Irani ka thënë se kutinë e zezë nuk do t’ia dorëzojë kompanisë “Boeing” dhe as SHBA-së.
Ditën kur aeroplani u rrëzua, Irani sulmoi me raketa balistike dy bazat ajrore amerikane në Irak. Është raportuar se dy ngjarjet nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Sipas rregullave të aviacionit botëror, Irani ka të drejtë të udhëheqë hetimin e rrëzimit të aeroplanit, sikurse çdo vend ku ndodh aksidenti ajror. Por në të tilla raste, zakonisht janë përfshirë edhe kompanitë prodhuese të aeroplanëve, në rastin konkret Boeing.
Të gjithë personat që ndodheshin në bordin e avionit humbën jetën. Viktimat ishin nga 7 shtete të ndryshme. Ukraina e ka shpallur 9 Janarin ditë zie kombëtare.