Irani ka mohuar pretendimet e SHBA-së dhe të Kanadasë për goditjen me raketë të aeroplanit ukrainas me 176 pasagjerë në bord, që u rrëzua në Teheran dy ditë më parë.
Këto pretendime, Irani i konsideron një “gënjeshtër të madhe” dhe i bën thirrje Shteteve të Bashkuara që të presin rezultatet e hetimit për të zbuluar shkaqet e rrëzimit të aeroplanit, ku humbën jetën të gjithë pasagjerët.
“Askush nuk do të marrë përgjegjësinë për një gënjeshtër kaq të madhe, pasi dihet që ky pretendim është një mashtrim”, tha zëdhënësi i qeverisë iraniane, Ali Rabiei.
Ai sqaroi gjithashtu se në këtë hetim marrin pjesë vendi ku ndodhi aksidenti ajror, pra Irani, Ukraina, kompania e prodhimit të avionit Boeing, dhe ndërtuesi i motorit të aeroplanit që u rrëzua, që në këtë rast është Franca.
Një delegacion nga Ukraina është tashmë në Iran, ku po merr pjesë në hetimet që po zhvillohen. Zëdhënësi i qeverisë iraniane ftoi që të marrin pjesë në hetim edhe të gjitha shtetet që kanë humbur shtetasit e tyre në këtë aksident ajror.
Një prej këtyre shteteve është edhe Kanadaja, e cila deklaroi një ditë më parë përmes Kryeministrit Trudeau se sipas informacioneve të tyre, aeroplani ukrainas u rrëzua sepse u godit nga një prej raketave që Irani lëshoi për të sulmuar dy bazat ajrore amerikane në Irak.
Edhe Inteligjenca Amerikane konfirmoi se sipas pamjeve të satelitëve, avioni ukrainas u godit nga një raketë.