Sport Klasikja Roma-Juve, Sarri kërkon dhuratën e 3 pikëve për 61-vjetor

Klasikja Roma-Juve, Sarri kërkon dhuratën e 3 pikëve për 61-vjetor

Ajo e mbrëmjes së nesërme nuk do të jetë e thjeshtë për Juventusin, i cili do të përballet me Romën, në sfidën përmbyllëse të fazës së parë. Maurizio Sarri do të luajë, ndër të tjera, pas Interit, duke e ditur rezultatin e zikaltërve. Në konferencën klasike për shtyp, Maurizio Sarri nënvizoi: “Do të jetë një transfertë e vështirë, jemi në kërkim të vazhdimësisë. Disa herë i kemi interpretuar pjesët e lojës në një mënyrë tjetër. Duhet të vazhdojmë punën e shkëlqyer të bërë kundër Cagliari. Ndoshta do të bëj ndonjë rotacion. Në fillim unë u akuzova se nuk ndryshoja formacionin, tani e do puna t’i racionalizojmë forcat. Fonseca? Në fillim të sezonit e kisha përfshirë te surprizat. Ai luan futboll të shkëlqyeshëm dhe tashmë e ka treguar këtë te Roma”.

Higuain

Higuain mbetet i rëndësishëm për “ekonominë” e lojës, që po zhvillon Juventusi. Ai është rikuperuar nga lodhja e muskujve. Sarri ndihet komod me argjentinasin në dispozicion: “Në krahasim me të, Dybala dhe Ronaldo pastrojnë zonën e penalltisë me lëvizjet e tyre. Padyshim që Higuain ka karakteristikat e tij dhe mund të zgjidhë situata të caktuara. Ne kemi një potencial të lartë sulmues”.

Dhurata

Kjo transfertë përkon me ditëlindjen e 61-të të trajnerit bardhezi (ishte më 10 janar): “Dhurata e pritshme? Ekipi duhet të marrë tri pikët kundër Romës. Në moshën time nuk kërkoj më dhurata (qesh)”.

De Ligt

De Ligt ka të ngjarë të qëndrojë sërish jashtë formacionit startues, por gjendja e tij fizike po përmirësohet. Sarri sqaron situatën: “Ai është më mirë, problemi me lodhjen dhe shpatullën nuk është më aq serioz sa më parë. Ekziston ndjenja që ai po kthehet në nivelet e tij. Cilësia e skuadrës sonë është e lartë dhe ndryshimi i 2-3 lojtarëve në një ndeshje nuk ndikon”.