Për herë të parë, studiuesit kanë zbuluar eshtrat e katër Amazonave në mosha të ndryshme, brenda të njëjtit varr. Zbulimi u bë publik nga Instituti Arkeologjik RAS në Rusi.
Brenda varrit të bërë prej balte dhe blloqe lisi, arkeologët gjetën në Rusi skeletet e katër grave. Një prej tyre mendohet se ka qenë 12-13 vjeç në momentin që ka ndërruar jetë, një 20-29 vjeç, e treta midis moshës 25 dhe 35 vjeçare dhe e fundit, 45-50 vjeç.
Eshtrat i përkasin katër grave të Skithëve, fis luftëtarësh nomadë që jetonin përtej Siberisë midis viteve 200 dhe 900 para Krishtit. Amazonat, ato nga të cilat u frymëzua filmi “Wonder Woman”, ishin gratë luftëtare të Skithëve. Amazonat jetonin midis fiseve të tjera nomade në Europën Lindore.
Eshtrat e zbuluara nga arkeologët mendohet se i përkasin shekullit IV para Krishtit. Në varr u gjetën shigjeta, parzmore, grepa, çengela në formë zogu, thika hekuri dhe kocka kafshësh.
Amazonat përshkruhen qysh në mitologjinë greke si tribu grash luftëtare. Sipas mitologjisë, ato ishin bijat e perëndisë Ares (hyjnia e luftës) dhe Harmonisë (hyjnia e pajtimit), prandaj shqetësimi i tyre i vetëm ishte lufta.
Eshtrat u gjetën në një varrezë të njohur si Devitsa V në Voronezh të Rusisë, një vend që studiohet që prej vitit 2010. Skeletet u zbuluan nga arkeologët e ekspeditës Don nga Instituti i Arkeologjisë dhe i Akademisë së Shkencave në Rusi.
“Amazonet janë një dukuri e jashtëzakonshme e Skithëve,” tha drejtuesi i ekspeditës, Valerii Guliaev. “Të gjitha ritet e varrimit, që zakonisht bëheshin për burrat, bëheshin për to”.
Burimi: CNN