Mbrojtësi Marash Kumbulla është lojtari kuqezi më i përfolur në merkato. Në verë shkodrani 19-vjeçar me siguri do të lërë ekipin e Veronës, drejtuesit e të cilit po fërkojnë duart, sepse vlera e “xhevahirit” të tyre po rritet dita-ditës. Kumbulla kërkohet aktualisht nga klubet më të mëdha në Itali, por edhe në Angli dhe në Gjermani.
Gjatë ndeshjes Verona-Xhenoa, ku skuadra e Kumbullës dhe Rrahmanit fitoi 2-1, në tribunë ishin edhe përfaqësues të Milanit dhe Fiorentinës, të cilët kishin si objektiv vëzhgimin e futbollistit shkodran. Lajmi është bërë i ditur nga “Sky Sport” dhe sigurisht që është për t’u marrë në konsideratë. Nuk ishte paraqitja më e mirë e mbrojtësit kuqezi, por ndonjë ndeshje “jo” është e justifikueshme. Vlerat e Kumbullës janë të padiskutueshme, ai ka bërë një paraqitje mbresëlënëse gjatë gjithë kampionatit. Trajneri Juriç, i cili i ka besuar që në fillim fanellën e titullarit, e ngre në qiell, duke vlerësuar nivelin, personalitetin dhe seriozitetin e 19-vjeçarit.
Milani dhe Fiorentina janë vetëm dy klubet e fundit që i janë shtuar listës së atyre që janë vënë në garë për Marash Kumbullën. Më parë janë interesuar Napoli dhe Juventusi në Itali, Mançesster Junajtid në Angli që ofron rreth 15 milionë euro, si dhe Lajpcigu dhe Borusia Dortmund në Gjermani. Një radhë e gjatë për futbollistin e Kombëtares shqiptare, së pari për nivelin e tij të lartë, por edhe moshën e re. Blerja e Kumbullës është një investim i sigurt. Shumë shpejt ai do të jetë një nga kolonat kryesore edhe të mbrojtjes kuqezi.