Aktualitet Kokainë në kafazin e pëllumbave dhe muzikanti që shiste heroinë, katër shqiptarë...

Kokainë në kafazin e pëllumbave dhe muzikanti që shiste heroinë, katër shqiptarë në pranga

Katër shqiptarë që shisnin drogë u arrestuan në 2 aksione të zhvilluara nga policia italiane dhe ajo greke.

Në rastin e parë, gjatë operacionit të zhvilluar në Terme Asqui të Italisë, të koduar “Pëllumbat”, u arrestuan 3 shqiptarë, të akuzuar për të paktën 300 raste të shpërndarjes së drogës.

Mediat lokale njoftuan se gjatë kontrollit me qen antidrogë, karabinierët sekuestruan 250 gramë kokainë që shqiptarët e kishin fshehur në kafazin ku mbanin pëllumbat.

Sakaq, në aksionin tjetër të zhvilluar në periferi të Selanikut, në Greqi, u arrestua një muzikant shqiptar 31 vjeç, baba i 2 fëmijëve dhe në pritje të fëmijës së tretë, pasi iu sekuestruan 100 gramë heroinë.

Ai kishte shkuar në Greqi qëkur ishte 13 vjeç dhe prej asaj kohe merrte pjesë në koncerte, kryesisht të këngëtarëve shqiptarë. Ai tha për policinë se detyrohej të shiste drogë për shkak të problemeve të shumta financiare.