21 vite më parë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, rreth 25 kilometra në jug të Prishtinës, forcat serbe hynë shtëpi më shtëpi, ndanë burrat më vete dhe i ekzekutuan. Trupat e 45 banorëve u gjetën në një luginë mbi fshat.
Në 21 vjetorin e masakrës, presidenti Hashim Thaçi, i shoqëruar nga homologu shqiptar Ilir Meta, zhvilloi homazhe në varrezat e Reçakut. Ndërsa theksoi se Kosova është e vendosur në zbardhjen e të gjitha vrasjeve, Thaçi tha se tendenca e fshehjes së një krimi të tillë, është një sjellje e mentalitetit të Milosheviçit.
“Gjithmonë duke kërkuar drejtësi që shteti serb të jap llogari për gjenocidin serb që ka kryer në Kosovë edhe tendenca e fshehjes është një sjellje e mentalitetit të Milosheviçit dhe kjo sjellje ka ardhur si pasojë e heshtjes së ndërkombëtarëve dhe nuk ka njeri në botë që mund të mohojë krimin që e ka kryer Serbia”, tha Thaçi.
Meta e quajti Masakrën e Reçakut krim kundër njerëzimit.
“Masakra e ndodhur barbarisht 21 vite më parë, nuk mund të përmbyllet më saktë se me tri fjalë të Ambasadorit Walker, si krim kundër njerizimit, ishte kjo një sakrificë e pashembullt e popullit të Reçakut, për të kërkuar një zgjidhje për Kosovën dhe më vonë ndërhyrjes së NATO-s”, u shpreh Meta.
Në fund të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç nxiti reagime të ashpra në Kosovë pasi e cilësoi masakrën e Reçakut si “të fabrikuar nga një mashtrues, si William Walker, për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999”.
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, përkujtuan në një deklaratë të përbashkët masakrën, duke thënë se ajoi “çoi në ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund katastrofës humanitare”.