Humbja e shqisës së nuhatjes, e lidhur me sëmundje të ndryshme, përfshirë ato të pleqërisë, prek pothuajse çdo aspekt të jetës: nga mungesa e oreksit deri në prishjen e marrëdhënieve shoqërore. Për të zbuluar ndikimet emocionale dhe praktike të një problemi që mund të prekë 5 në 100 persona është kryer një studim, rezultatet e të cilit janë botuar në “Clinical Otolaryngology”.
Çrregullimet e nuhatjes mund të vijnë për shumë shkaqe, nga infeksionet e traktit respirator deri te dëmtimet nervore, nga sëmundjet neurologjike siç janë Alzheimeri dhe Parkinsoni te efekti anësor i disa ilaçeve. Hulumtimet e mëparshme kishin treguar se ata që vuajnë prej humbjes së nuhatjes “raportojnë nivele të larta depresioni dhe ankthi”, kështu që lind nevoja për të mësuar më shumë për pasojat e një problemi që, në shkallë të ndryshme, prek 5% të popullsisë, shpjegon autori i parë, Carl Philpott.
Studiuesit e Universitetit të Anglisë Lindore intervistuan 71 persona mes 31-80 vjeç në Britaninë e Madhe. Doli që këta pacientë pësojnë probleme të intimitetit seksual, humbjes së oreksit dhe peshës (nëse nuk i perceptohen aromat, nuk perceptohen as shijet) dhe gjithashtu janë të ekspozuar ndaj rreziqeve më të mëdha siç janë konsumi i mishit të prishur, pirja e qumështit të thartë, mosperceptimi i erës në rast rrjedhjesh gazi ose tymi nga zjarri.
“Pjesëmarrësit në studim raportuan se kishin humbur interesin për përgatitjen e ushqimit dhe disa thanë se nuk gatuanin për familjen dhe miqtë, çka ndikon në jetën e tyre shoqërore”. Pamundësia për të lidhur erën me kujtimet e lumtura rezulton gjithashtu problem dhe higjiena personale është gjithashtu predispozitë për siklet, sepse ata nuk ndiejnë erën e vet. Të gjitha këto probleme kanë çuar në zemërim, ankth, zhgënjim, izolim. Studiuesit shpresojnë se rezultatet mund të ndihmojnë mjekët të jenë më mbështetës për këta pacientë.