“Çdo investitor i huaj, i cili do të blejë nënshtetësinë shqiptare do të përjashtohet nga taksat, do të përfitojë ulje të TVSH-së në 6 për qind dhe do të ketë përfitime të tjera fiskale”. Kjo ishte deklarata e kryeministrit Edi Rama, më 13 nëntor, i ftuar në Konferencën botërore për Nënshtetësinë në Londër, të organizuar nga kompania “Henley and Partners”. Krah tij ndodhej kryeministri malazez Dusko Markovic, i cili deklaroi po ashtu se Mali i Zi do t’u ofronte nënshtetësi të gjithë investitorëve të huaj, sidomos atyre në fushën e turizmit.
Tre muaj më vonë, Shqipëria duket se po mendon ende nëse ky është një rrezik që ia vlen të ndërmerret, por Mali i Zi ka ecur përpara me planet.
Çfarë hapash mori Mali i Zi?
Tre javë pas konferencës në Londër, Qeveria Malazeze ka dhënë pëlqimin e saj për ofrimin e nënshtetësisë për katër projekte deri më tani në fushën e turizmit. Numri i atyre që do të marrim nënshtetësinë malazeze pritet të jetë më shumë në vitin 2020 pasi interesi i investitorëve është i madh. Programi në lidhje me dhënien e pasaportës malazeze përmes investimeve do të jetë i vlefshëm deri në vitin 2021 dhe pritet t’i jepet të paktën 2.000 investitorëve.
Për momentin nënshtetësia malazeze mund të merret vetëm përmes projekteve të zhvillimit dhe përmbushjes së kritereve të rrepta, dhe jo përmes blerjes së pasurive të patundshme, shtëpive ose apartamenteve në Mal të Zi.
“Ekzistojnë katër projekte turistike për të cilat Qeveria ka dhënë pëlqimin për nënshtetësi ekonomike, përkatësisht ndërtimin e hotelit Kolašin Resort & Spa, ndërtimin e hotelit “Breza” në Kolašin, ndërtimin e hotelit “Kraljičina plaža” në Miločer dhe Budva dhe ndërtimi i kompleksit “Hotel Durmitor dhe Vila” në Žabljak“, thanë përfaqësuesit e Sekretariatit të Projekteve të Zhvillimit.
Ata nuk zbuluan emrat e investitorëve që kishin bërë kërkesë për nënshtetësi malazeze. Mediat malaze kanë zbuluar se “Kolašin Resort & Spa” do të ndërtohet nga kompania “Oriental Management INC” nga Malajzia. Biznesmeni grek, Petros Stathis, do të ndërtojë hotelin “Kraljičina plaža” dhe “Durmitor”. Ndërkohë hoteli “Brezna”do të ndërtohet nga një oligark rus.
Kur të mbarojë e gjithë procedura komplekse, Qeveria do të shpallë emrat e qytetarëve të rinj malazez.
Aplikanti duhet të depozitojë 450.000 euro për projektet e zbatuara në jug të vendit ose në kryeqytet. Për projektet në veri dhe qendër të Malit të Zi, përveç Podgoricës, atyre u kërkohet të paguajnë 250.000 EUR. Kontributi në zhvillimin e komunave të pazhvilluara është një segment shumë i rëndësishëm i projektit. Programi parashikon një pagesë prej 100.000 eurosh për çdo kërkesë të paraqitur për nënshtetësi. Paratë do t’i kalohen fondit për përmirësimin e infrastrukturës, ekonomisë dhe shërbimeve sociale në komunat përkatëse.
Nëse arrin të thithë deri në 2 mijë investitorë, ashtu siç ka planifikua, atëherë Mali i Zi ka të ngjarë të korrë fitime të mëdha nga shitja e nënshtetësisë.
Shqipëria nën presion
Por përse Shqipëria nuk po ecën përpara me këto plane? Komisioni Evropian është shumë kritik ndaj programeve të tilla, të cilat “krijojnë një rrezik për vendet anëtare të BE-së, në veçanti ato përbëjnë rrezik për pastrim parash, korrupsion dhe evazion fiskal”. Vera Jourova, Komisionerja e BE-së për Drejtësinë e bëri të qartë se “Komisioni Evropian nuk do të mbështesë një skemë të përfitimit të pasaportës kundrejt pagesës”.
Për vendet e treta, si Shqipëria, që mund të lëvizin pa viza në BE, Komisioni ka paralajmëruar se skemat e shitje së pasaportave, i lejon nënshtetasit të “anashkalojnë procedurat e rregullta për marrjen e vizës Shengen dhe shmang vlerësimin e thellë të çdo individi mbi rrezikun për emigrim dhe siguri.”
“Skemat e shtetësisë krijojnë një sëre shqetësimesh. Dhënia e nënshtetësisë paraqet një rrezik serioz sigurie sepse u jep përfituesve të gjitha të drejtat e qytetarëve të BE-së dhe u lejon atyre të lëvizin lirshëm në të gjithë bashkimin. BE nuk duhet të bëhet një strehë e sigurt për kriminelët, korrupsionin dhe paratë e pista”, tha Jurova.
Optimizmi i Ramës
Gjatë konferencës, Edi Rama është shprehur optimist për këtë nismë, duke thënë se ky program është mënyra e duhur për të nxitur investimet e huaja.
“Për 30 vitet e ardhshme pas rënies së regjimit komunist kemi pasur rritjen më të shpejtë në rajon sepse kemi ardhur nga një bazë shumë e ulët dhe kemi qenë në një distancë të gjatë nga ekonomitë fqinje. Tani, mendoj se është koha të shkojmë më tej. Pra, ne fillojmë këtë program dhe po eksplorojmë mundësinë për të shtuar diçka në të, jo vetëm duke investuar dhe marrë qytetari, por edhe duke ofruar, për vendin, njohuri dhe aftësi të veçanta. Dhe kjo duhet të jetë e përpunuar. Sigurisht që ekzistojnë rreziqe, por ne nuk mund të mohojmë të ardhmen e vendit tonë, potencialin e jashtëzakonshëm të këtij lloj programi”, tha Rama.
Presion edhe nga Holanda
Megjithatë presioni ndaj kryeministrit ka ardhur duke u rritur.
Pas Komisionit Europian edhe Holanda ka kërkuar të tregohet kujdes me nismën e qeverisë shqiptare për t’i dhuruar shtetësinë çdo investitori strategjik. Ministri i jashtëm Stef Blok thotë se mund të përbëjë rreziqe për rendin dhe sigurinë kombëtare.
Në përgjigje të pyetjeve të parlamentarëve, ministri i jashtëm holandez hodhi dyshime se nisma nuk përputhet me legjislacionin europian.
“Në përgjithësi, qeveria jonë e konsideron shitjen e pasaportave nismë të padëshirueshme. Ka rëndësi që skemat që i japin liri lëvizjeje shtetasve nga vende të treta, të marrin parasysh risqet e sigurisë kombëtare dhe të rendit publik. Për këto arsye, Komisioni Europian ia ka bërë të qartë qeverisë shqiptare rreziqet e kësaj skeme.”
I pyetur për mundësinë që Holanda të rimarrë në shqyrtim çështjen e rikthimit të vizave për shkak të skemës së nënshtetësisë, kryediplomati Blok thotë se përmbushja apo jo e kushteve për lëvizjen e lirë është gjithnjë në monitorim.
“Në muajin qershor Komisioni vlerësoi se nuk ishin përmbushur kriteret formale për pezullimin e liberalizimit të vizave. Dhe deklaratat e kryeministrit Rama nuk e ndryshojnë këtë vendim. Megjithatë Komisioni i ka informuar si Shqipërinë, edhe Malin e Zi për rreziqet që kanos skema e pasaportave.”