Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Kuvend këtë të enjte, u shpreh se duhet të kalojnë sa më parë norma të reja në Kodin Penal për sistemin e ndërtimeve që i gjithë zinxhiri të mbajë përgjegjësi për ndërtimet.
Ai theksoi se në Durrës u shembën dhe pësuan dëmtime në strukturë vetëm ato ndërtime që kanë pësuar ndryshim nga projekti i miratuar dhe për këtë tha ai, duhet të mbajë përgjegjësi i gjithë zinxhiri.
“Do t’i jepet fund çdo mundësie për t’i larë duart pasi mbushën xhepat me volume të ndërtuara jashtë lejeve të ndërtimit. Ky në fakt është fenomeni më i shëmtuar dhe më i rrezikshëm që e ka shoqëruar Shqipërinë në këto 30 vjet.
Po të bënim një ekspozitë të projekteve që miratohen dhe të projekteve që janë zbatuar në realitet, do të kishim dy botë krejt të ndryshme. Ju siguroj që një pjes2ë e madhe e ndërtesave nuk kanë lidhje fare me lejet e ndërtimit të miratuara. Kjo, jo vetëm në aspektin e cilësisë, por në volumin dhe në formën e tyre. Nëse do të ishin zbatuar projektet e miratuara nga bashkitë, do të kishim sot qytete shumë më cilësorë, në pikëpamje të urbanistikës dhe të infrastrukturës. Ajo që ka ndodhur është tejkalimi i të gjithë kornizës së lejes së miratuar.
Në një masë të patolerueshme rastesh, ajo që nis me miratimin e lejes është një trup që shfaqet i stërzmadhuar nga shkelja e ligjit.
Nuk mund të funksionojë në sistemin e mbrojtur në këtë sallë për dekada. Kjo beteja ka qenë e nisur prej meje në bashkinë e Tiranës. Në këtë parlament asokohe u kthye në një incentivë për të ndërtuar më shumë. Nuk mund të funksionojë kontrolli mbi lejet 4e ndërtimit, nëse nuk ka përgjegjësi penale për të gjithë zinxhirin. Arkitektët nuk mund të dorëzojnë projektin në letër dhe të ikin. Por duhet të firmosin në fund pas përfundimit të projektit. Konstruktorët nuk mund të mos mbajnë përgjegjësi penale kur ndryshon projektin. Supervizorët, kolaudatorët, nuk mund të shpëtojnë pa denoncuar ndryshimin e lejes.
Ajo që ndodhi në Durrës është historia e godinave që i përkasin kësaj kategorie që po flas unë. Nuk janë shembur dhe nuk janë dëmtuar në strukturë godina që kanë respektuar parametrat.
Nuk mund të funksionojë jashtë përgjegjësisë penale ky sistem që ka sjellë gjunjëzimin e shtetit kur ka tentuar të marrë masa. Kjo sepse zhvilluesit kur janë vënë përpara një kontrolli dhe një vendimi të një inspektorati, kanë shkuar në gjykatë dhe kanë gjunjëzuar shtetin, duke marrë edhe legalizimin e paligjshëm duke legalizuar edhe shtesën.
Pas këtij ligji ne duhet të kalojmë normat e reja të kodit penal që ngarkojnë me përgjegjësi të gjithë zinxhirin”, u shpreh Kryeministri Rama.