Në fushë nuk e kanë duruar kurrë njëri-tjetrin, duke qenë se përfaqësonin dy tipologji absolutisht të ndryshme futbollistësh. Ai, mbreti Eric Cantona, ylli absolut, gjithnjë në qendër të vëmendjes. Tjetri, Didier Deschamps, “ushtari” perfekt, besnik ndaj detyrës dhe ekipit. “Një mbajtës uji”, siç e ka quajtur ish-futbollisti i United një vit më parë, ku edhe pasi janë tërhequr nga futbolli, konflikti vazhdon. Por tani Cantona e Deschamps mund të sqarohen në një vend të veçantë: në sallën e gjyqit. Le Parisien bën të ditur se, në fund të shkurtit, denoncimi për shpifje të trajnerit të Francës kundër “King” Eric do të përfundojë para gjykatësit.
Gjithçka nisi me deklaratat e ish-sulmuesit të Manchester United me rastin e mungesës së grumbullimit të Benzema e Ben Arfa për Euro 2016. Dy përjashtime, sipas Cantona, të diktuara nga motive jo futbollistike. “Deschamps ka një emër shumë francez. Madje, mund të jetë i vetmi në Francë që ka një emër autentik francez. Asnjë nga familja e tij nuk është përzier me të tjerë. Si mormonët në Shtetet e Bashkuara”. Një debat që shkon më tej… “Ajo që është evidente është se Benzema e Ben Arfa janë dy lojtarët më të mirë francezë dhe nuk do të luajnë Europian. Është e qartë se të dy kanë origjinë afrikano-veriore…”.
Sipas tij, fakti që Benzema kishte përfunduar në qendër të një skandali seksual së bashku me Valbuena nuk do të ishte gjë tjetër veçse një justifikim, që trajneri e shfrytëzoi për të mos grumbulluar qendërsulmuesin e Real. “Nuk jam i habitur që e përdori çështjen për të mos e grumbulluar Benzema. Ndihem i autorizuar për të patur ndonjë dyshim”. Akuzë racizmi që tekniku i Bleus nuk e ka pritur mirë. Deschamps e ka hedhur në gjyq dhe më 28 shkurt do t’i takojë një gjykatësi të Tribunal de Grande Instance de París për t’i dhënë fund kësaj çështje.