Anëtari i bandës së “tritolit” në Vlorë, Andon Mëhillaj ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta në burgun e Peqinit, ku vuante dënimin me burgim të përjetshëm.
Ngjarja ndodhi pasditen e të dielës, ndërsa dyshohet se shkak i vdekjes ka qenë një atak kardiak. Ai u transportua me urgjencë drejt Tiranës, por nuk mundi dot të mbijetonte, duke ndërruar jetë në ambulancë.
Mëhillaj ishte i vetëm në qeli, ndërsa kërkoi ndihmë se nuk ndihej mirë. Por për shkak të shkarkimeve të bëra pak ditë më parë ne Peqin nuk kishte mjek dhe ai u transportua me urgjencë për në një nga spitalet e kryeqytetit.
Ndërkohë Ministria e Drejtësisë shprehet se po hetohet për të zbardhur shkaqet e vdekjes. Por familjaret kane ngritur dyshime se ai mund të jete helmuar. Avokati i Mëhillajt, Edmond Dema deklaroi se klienti i tij kishte tentuar disa here te vetëvritej.
Andon Mëhillaj u akuzua për një sërë vrasjesh, plagosjesh, vënie tritoli e shkatërrim prone. Ai punonte gjithashtu si sekser i vrasësit me pagesë Julian Sinanaj të cilit i gjente klientë për të ekzekutuar persona të ndryshëm. Ai u shpall në kërkim pas rrëfimit të Julian Sinanjt në janar të vitit 2014, i cili mundi ti shpëtoj burgimit të përjetshëm falë bashkëpunimit me drejtësinë.
“Sekseri” i vrasjeve të Julian Sinanajt
Andon Mëhillaj u vetëdorëzua në polici në vitin 2014 pasi ishte shpallur në kërkim si pjesë e grupit kriminal për llogari të të cilit vepronte edhe Julian Sinanaj, që më vonë u njoh si vrasës me pagesë, mbi supet e të cilit rëndojnë një sërë ekzekutimesh të bujshme, kryesisht me tritol-vënie.
Por, hetimet e mëvonshme zbuluan se nuk ishte Andon Mëhillaj personi që punonte për llogari të Julian Sinanaj dhe as Julian Sinanaj nuk punonte për llogari të Mëhillajt. Mes tyre kishte një marrëdhënie tjetër. Ndërsa Julian Sinanaj pranoi se ishte autor i disa vrasjeve, ndaj Andon Mëhillajt nuk u provua asnjëherë se ai vetë të kishte marrë pjesë në një ekzekutim.
Megjithatë, prokuroria arriti që të provojë se Andon Mëhillaj ishte “ndërmjetësi” mes Julian Sinanajt dhe porositësve të vrasjeve. Në dosjen e Prokurorisë thuhet se porositësit ishin shpesh biznesmenë të fuqishëm që përmes Andon Mëhillajt pajtonin shërbimet e Julian Sinanajt për të goditur kundërshtarët e tyre, herë duke i shantazhuar, herë duke i ekzekutuar.
Gjatë procesit gjyqësor, Mëhillaj nuk e mohoi asnjëherë njohjen me Julian Sinanajn, por në deklaratat dhe dëshmitë e bëra pretendonte se ai ishte viktimë e vrasësit me pagesë.
“Me Julian Sinanaj jam njohur rastësisht në lokalin e dajës tim në zonën e Orikumit, ku ai vinte shpesh. Aty nisi edhe komunikimi im me të dhe ai u vetëofrua për të më zgjidhur problemin me Sokol Veizajn”, ka qenë njëri prej rrëfimeve të Andon Mëhillajt para prokurorëve.
Sokol Veizaj ishte një peshkatar me të cilin Andon Mëhillaj ishte përplasur disa herë në zonën e Orikumit. Konflikti me peshkatarin lidhej me një pronë, sipas të cilës Mëhillaj akuzonte Veizajn se ja kishte zaptuar.
Përballë provave që i vendosi përballë Prokuroria, Mëhillaj u dorëzua dhe e pranoi se ishte ai porositësi i vrasjes së Sokol Veizaj, ngjarje kjo e ndodhur në gushtin e vitit 2012 në Orikum. Nga përballja e Andon Mëhillajt me Julian Sinanajn dhe Ndriçim Gjokonën, prokuroria u bind se Mëhillaj ishte punëdhënësi i tyre, jo vetëm në rastin e vrasjes së peshkatarit Sokol Veizaj.
Prokuroria dyshonte se me porosi të Mëhillajt është ekzekutuar edhe biznesmeni Agron Çela. Mëhillaj e mohoi këtë akuzë. Megjithatë, prokuroria arriti të bindë gjykatën se roli i Andon Mëhillajt ishte thelbësor në disa vrasje të kryera nga Julian Sinanaj. Sipas organit të akuzës, Andon dhe Gënis Mëhillaj merrnin një pagesë që shkonte nga 20 deri në 30 mijë euro nga biznesmenë dhe lidhnin marrëdhënie të ngushta miqësore me ta, duke krijuar besim për mosnxjerrje sekreti. Sa herë që biznesmenët ankoheshin për konkurrentët e tyre, prokuroria thotë se Mëhillajt u këshillonin që të ekzekutonin kundërshtarët.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se dy kushërinjtë u jepnin garanci biznesmenëve se kishin në varësi një person që e kryen vrasjen me saktësi të madhe, pa lënë asnjë gjurmë në vendin e krimit. Për të përforcuar idenë, i flisnin edhe për karrierën e pasur kriminale të Julian Sinanajt. Mes palëve nisnin bisedimet për pazaret, të cilat ishin të ndryshme, në varësi të personit që do të vritej.
Pas kësaj, kushërinjtë Mëhillaj aktivizonin Julian Sinanajn, bisedonin me të për objektivin e radhës, shumën e parave që jepte porositësi dhe një fotografi të shënjestër, të shoqëruar me të dhëna personale rreth tij. Pasi binin në dakordësi, 31-vjeçari niste punën për ekzekutimin e radhës.